11.3 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Deputeti gjerman: Situata në veri të Kosovës po përkeqësohet

Në një intervistë ekskluzive me DW deputeti gjerman, Knut Abraham, bën analizën e zhvillimeve aktuale në Kosovë dhe bilancin e politikës së Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor.

Deutsche Welle: Zoti Abraham, ne duam të analizojmë shkurtimisht politikën gjermane në Ballkanin Perëndimor në vitin 2022, por nuk mund të anashkalojmë disa zhvillime të fundit. Pra, le të fillojmë me situatën aktuale: Tensionet në veri të Kosovës janë rritur ditët e fundit. Çfarë mendimi keni ju për situatën?

Knut Abraham: Jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës, sepse situata këtu po përkeqësohet. Dhe kjo është absolutisht e dëmshme për aspiratat e përbashkëta të Serbisë dhe Kosovës drejt Evropës.

Deutsche Welle: A keni ndonjë ide se si të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm?

Knut Abraham: Është e nevojshme të flitet me të dyja palët. Mbi të gjitha shoh se pala serbe duhet të kuptojë se nuk mund të ketë një qasje të dyfishtë. Nuk është e mundur të zhvillohen normalisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe në të njëjtën kohë të luhet me zjarrin në veri të Kosovës.

Palët duhet të ulen në tryezë edhe nëse ato i bërtasin njëra-tjetrës, thotë Knut Abraham. Takimi i parë mes Kurtit dhe Vuciçit nodhi në Berlin, me nismën e kancelarit Scholz.

Deutsche Welle: A ka bërë Gjermania mjaftueshëm kohët e fundit për të parandaluar një-përshkallëzim?

Knut Abraham: Unë tashmë mund të shoh se qeveria federale është aktive në rrafshin diplomatik. Por sigurisht, kur shohim sa keq është situata, lipset më shumë. Mendoj se do të ishte mirë që shumë shpejt të ketë një diplomaci intensive me vizita nga Berlini në rajon, në mënyrë që edhe ne të bëjmë tonën, krahas asaj që duhet të bëjë Brukseli për të qetësuar situatën.

Deutsche Welle: Çfarë mund të bëjë qeveria e Kosovës për të shpërshkallëzuar situatën?

Knut Abraham: Sigurisht, e kuptoj plotësisht se qeveria e Kosovës, si qeveri e një shteti sovran, dëshiron të zbatojë rregullat që vlejnë për të gjithë njerëzit në territorin e saj. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të mendojë për çdo hap, nëse e ndihmon qëllimin apo jo. Pra, kam mirëkuptim që ajo dëshiron të zbatojë vendimin për targat, por duhet të merret parasysh nëse është kaq e mençur të zbatohen dënimet. Këshilla jonë është që me mençuri të mendohet për pasojat e dyta dhe të treta të masave që merren. Për agjitatorët dhe ekstremistët është e lehtë kur ka një çështje që shqetëson edhe njerëzit e zakonshëm, atëherë edhe njerëzit e zakonshëm janë të gatshëm të mirëpresin gjëra që ata zakonisht nuk i mirëpresin.

Deutsche Welle: Gjermania po përpiqet t’i ulë palët në dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Sa realiste është kjo duke u nisur nga situata aktuale?

Knut Abraham: Duke parë marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013, më kujtohet se atëherë kishte shpresa për një normalizim të marrëdhënieve, flitej për menaxhim kufijsh dhe institucione rajonale etj. Sot për fat të keq, ka mbetur shumë pak nga kjo frymë. Prapëseprapë, bisedimet kanë vlerën e tyre, palët duhet të ulen në tryezë edhe nëse ato i bërtasin njëra-tjetrës. Pra, dialogu nuk duhet të shpallet kurrsesi si i dështuar. Por duhet pranuar se për momentin nuk ka asnjë lëvizje. Kjo është arsyeja pse të dyja palëve u duhet thënë qartë që të kthehen në bisedime. Pa një modus vivendi, pa një marrëveshje për bashkëjetesë, do të jetë e vështirë për të dy vendet që të vijnë në Evropë.

Asociacioni i komunave serbe nuk mund të krijohet kur mungon besnikëria e serbëve ndaj Kosovës, thotë Knut Abraham, deputeti i CDU-së në intervistë me DW.

Deutsche Welle: Në të ashtuquajturin plan franko-gjerman flitet edhe për të gjetur një zgjidhje për pakicën serbe në Kosovë. Cili është vlerësimi juaj për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe?

Knut Abraham: Unë besoj se kjo është një zgjidhje që mund të ndodhë në planin afatgjatë. Një masë e tillë kërkon besim absolut në besnikërinë e qytetarëve që i përkasin një kombësie tjetër. Dhe nëse kjo besnikëri nuk ekziston, siç po vihet re tani, duke pasur parasysh shembujt negativë në veri të Kosovës, atëherë mungon fundamenti për një asociacion të tillë të komunitetit serb. Në terma afatgjatë, mendoj se kjo është një ide, së cilës mund t’i qaset një shteti i fortë dhe sovran. Por kërkon bazamentin e duhur dhe një plan. Dhe një hap i tillë nuk mund të bëhet me detyrim, kur besimi mungon në mënyrë të dukshme.

Deutsche Welle: Të premten Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë dënoi një ish-luftëtar të UÇK-së me 26 vjet burg “në emër të popullit të Kosovës”. Opinioni kosovar nuk e mirëpriti aktgjykimin. A e vë në pikëpyetje kjo legjitimitetin e gjykatës speciale?

Knut Abraham: Është një aktgjykim i ashpër, i cili sigurisht ngjalli kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën kundër shqiptarëve të Kosovës në atë kohë, por edhe vuajtjen e shumë serbëve. Unë kam mirëkuptim që në Kosovë këto gjëra po diskutohen dhe që emocionet janë të larta. Unë vetëm do të këshilloja, dhe kjo vlen edhe për mua personalisht, që vendimi i Gjykatës Speciale të pranohet dhe natyrisht të vëzhgohet se si do të punojë gjykata në rastet e tjera.

Deutsche Welle: Nëse i hedhim një vështrim politikës së qeverisë federale në Ballkan në vitin 2022. Cili është bilanci juaj?

Knut Abraham: Unë mendoj se nëse marrim të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë qeverinë federale dhe Gjermaninë në tërësi, atëherë është mbi të gjitha për shkak të përpjekjeve të zonjës Merkel në vitet e mëparshme që Bosnja dhe Hercegovina tani fitoi statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Unë jam gjithashtu i lumtur, megjithëse gjysmë i lumtur, që tani është dhënë drita jeshile që të hiqen vizat për Kosovën. Kjo ishte një dramë. Dhe këtu Gjermania është pozicionuar gjithmonë shumë qartë. Tani të paktën kemi dritë në fund të tunelit dhe kjo është një gjë pozitive. Pra, bilanci është i dyfishtë. Nga njëra anë shoh me të vërtetë lëvizje të Ballkanit drejt Evropës. Këtu hyn edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim, përveç statusit të kandidatit për Bosnje-Hercegovinën. Në anën tjetër, dhe për këtë kemi folur në fillim, e shoh me shumë shqetësim se si po përkeqësohet gjendja në veri të Kosovës.

Salih Mustafa u dënua më 16 dhjetor me 26 vjet burg. Ishte dënimi i parë për krime lufte nga Gjykata Speciale e Kosovës. Abraham thotë se vendimi duhet respektuar.

Deutsche Welle: Kosova këtë vit shtroi edhe kandidaturën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ju personalisht e keni mbështetur fuqishëm këtë kandidaturë. Si po e mbështet qeveria federale Kosovën që aplikimi të jetë i suksesshëm?

Knut Abraham: Kjo është me të vërtetë një çështje shumë e rëndësishme për mua personalisht dhe jam i kënaqur që Qeveria Federale dhe Ministrja e Jashtme ndajnë të njëjtin vlerësim. Gjermania është vërtet një mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne e shohim këtë përtej linjave partiake si një hap të rëndësishëm. Dhe Këshilli i Evropës është pikërisht organi i duhur në të cilin Kosova duhet të anëtarësohet në këtë moment. Hapat e ardhshëm janë që qeveria e Kosovës, dhe unë jam në kontakt të ngushtë me qeverinë, tani duhet të lobojë te shtetet e Këshillit të Evropës. Ajo duhet të flasë edhe me ato shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Sepse edhe këto shtete mund ta mbështesin shumë mirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Dhe unë jam shumë optimist, duke parë të gjitha sinjalet. Megjithatë, procesi i vendimmarrjes në vendet partnere duhet të kontrollohet vazhdimisht, pra të monitorohet. Gjermania është pozicionuar shumë qartë dhe është duke e promovuar Kosovën.

Deutsche Welle: Një tjetër temë që ishte vërtet e madhe këtë vit dhe që qeveria federale e shtyu përpara ishte ringjallja e Procesit të Berlinit. Cili është bilanci juaj?

Knut Abraham: Kjo nismë e suksesshme e ish-kancelares Angela Merkel ka vazhduar. Më 3 nëntor pati një vazhdim të Procesit të Berlinit në Berlin. Dhe ka pasur të paktën tre marrëveshje të reja, veçanërisht për udhëtimin me letërnjoftim, pastaj njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale. Dhe sa i përket Kosovës, lajmi i mirë ishte sigurisht udhëtimi pa viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës. Kjo ishte e rëndësishme për lëvizshmërisë në rajon dhe ishte thjesht një lajm i mirë në përgjithësi. Në këtë aspekt, mund të thuhet se Procesi i Berlinit ka ende potencial. Dhe tani pritshmëria është që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor natyrisht t’i ratifikojnë këto marrëveshje për të cilat ata vetë kanë rënë dakord. Dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë me të drejtë ka dyshime në orientimin e tyre drejt Evropës. Për ta thënë troç, politikanët përgjegjës në rajon nuk duhet të habiten nëse Ukraina dhe Moldavia bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian përpara tyre.

Gjermani, Berlin, Zyra Kancelore, më 3 nëntor 2022. Nënshkruhen marrëveshjet mes gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor për njohjen reciproke të diplomave universitare, për lëvizjen e lirë me karta identiteti dhe njohjen e profesioneve

Marrëveshjet e Procesit të Berlinit, që u nënshkruan më 3 nëntor 2022 në Berlin, duhet të ratifikohen thotë Knut Abraham, në intervistë me DW

Deutsche Welle: A ka rrezik që në një raste të tillë që Ballkani Perëndimor të mbetet jashtë si Turqia?

Knut Abraham: Anëtarësimi nuk mund të bëhet me politika të papërgjegjshme të qeverive. Sepse ju e dini që ende kërkohet unanimitet në shumë fusha të Bashkimin Evropian. Dhe Bashkimi Evropian sigurisht që nuk ka ndërmend ta lërë veten të ndikohet, ose të shantazhohet nga mosmarrëveshjet lokale.

Deutsche Welle: Një vend problematik në rajon është Serbia: Përveç konfliktit me Kosovën, Serbia ende refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Çfarë mund të bëjë më shumë qeveria federale për ta kthyer Serbinë në drejtimin e duhur?

Knut Abraham: Përpjekjet që janë bërë padyshim nuk kanë qenë të suksesshme sa duhet. Në fund të fundit, nuk është në rregull të duash të bashkohesh në Bashkimin Evropian dhe të flirtosh me Moskën në të njëjtën kohë. Kjo është e pamundur, sepse Bashkimi Evropian ka marrë një qëndrim të qartë për sanksionet dhe e pret këtë nga ata që duan të bëhen anëtarë të Unionit.

Deutsche Welle: Ka zëra që kërkojnë sanksione kundër Serbisë, të tjerë flasin për ngrirjen e fondeve të BE-së, cili do të ishte mjeti më efektiv i presionit?

Knut Abraham: Unë nuk jam për sanksione. Por ajo që duhet marrë në konsideratë është ngrirja apo ndalimi i negociatave të anëtarësimit. Nëse baza nuk është e drejtë, atëherë negociatat nuk kanë kuptim.

Deutsche Welle: Negociatat e anëtarësimit janë pothuajse të ngrira. Megjithatë, paratë ende po rrjedhin drejt Serbisë.

Knut Abraham: Kjo nënkuptohet aty. E them me hidhërim, sepse dëshiroj një Serbi aktive, evropiane që ka vullnetin të bashkëjetojë paqësisht me fqinjin e saj, Kosovën. Dhe uroj një Serbi që dëshiron aktivisht të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Por rruga e saj deri tani e më duket si me gjysmë zemre. Dhe Komisioni dhe gjithashtu shtetet anëtare duhet të thonë: Të dashur miq në Beograd, ne do të dëshironim t’ju kishim në klub, por ju duhet të keni të njëjtat synime si ne.

Bombardimi i Serbisë në vitin 1999 ekziston ende në mendjet e vendimmarësve në në Gjermani, pranon Knut Abraham në intervistë me Deutsche Wellen. Në Foto: Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic dhe kancelari gjerman Olaf Scholz në Berlin, 4 maj 2022

Deutche Welle: Pse është e vështirë për qeverinë federale të rrisë presionin ndaj Serbisë? Serbia është një vend me një sasi shumë të madhe të lëndëve të para, të cilat kërkohen shumë në disa industri. A ka të bëjë kjo me interesa ekonomike?

Knut Abraham: Me Serbinë flitet shumë qartë. Rëndësia e Serbisë rrjedh nga pozita gjeografike, por edhe pozita politike. Serbia është një vend i rëndësishëm edhe për çështjet e migracionit, ku ka pasur vështirësi shtesë. Por kontakti me Beogradin është i rëndësishëm sepse, natyrisht, sepse nuk mund të imagjinohet një Ballkan Perëndimor pa Serbinë.

Deutsche Welle: Përveç kësaj, dëgjohet herë pas here se Gjermania është kaq hezituese për Serbinë, sepse e vret ndërgjegjja që Serbia u bombardua në vitin 1999.

Knut Abraham: Ai vendim është ende aty si një pyetje jashtëzakonisht e vështirë. Kjo pjesë e vëzhgimit tuaj është e saktë. Por unë nuk pajtohem me pjesën e dytë që ne jemi të ndikuar prej kësaj në vendimet dhe veprimet tona. Por pas ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, ky ishte një vendim shumë i vështirë për Gjermaninë. Sigurisht.

Deutsche Welle: Dhe kjo është ende në mendjen e vendimmarrësve në Gjermani?

Knut Abraham: Është endje në mendje. Por siç thashë, kjo nuk na pengon të flasim shumë qartë me Beogradin.

Intervistoi Anila Shuka

Knut Abraham është anëtar i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ai është anëtar i CDU-së në Bundestag që nga viti 2021. Ai ka punuar më parë si diplomat në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe në zyrën e ish-kancelares Angela Merkel./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img