4.5 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Deputeti gjerman: Serbia duhet t’i lirojë tre policët kosovarë, vetëm atëherë mund të kemi një fazë dialogu

Deputeti gjerman, Thomas Hacker, në një intervistë për DW ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në veri dhe tensionimit të raporteve Kosovë-Serbi pas rastit të 3 policëve që po mbahen në burg në Serbi.

Intervista e plotë:

Deutsche Welle: Zoti Hacker, tensionet mes Serbisë dhe Kosovës po rriten dhe dialogu po ngec. Si anëtar i Bundestagut gjerman përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, ju i njihni të gjitha perspektivat. Si e vlerësoni situatën?

Thomas Hacker: Fatkeqësisht, gjatë javëve dhe muajve të fundit, kemi parë herë pas here që njëra palë fajëson palën tjetër. Pas Krishtlindjeve kishim menduar se tensionet më të mëdha – bllokadat në veri të Kosovës – i kishim lënë pas. Tani po përballemi me tensione të reja. Policë rrëmbehen ose arrestohen, nga njëra anë thuhet se janë rrëmbyer në territorin e tyre, nga ana tjetër se janë kapur në territorin serb. Konfliktet sjellin me vete një dinamikë të rrezikshme që është pothuajse e pamundur të kontrollohet. Disa ushtarë të KFOR-it u plagosën rëndë gjatë protestave në fund të majit. Ky është një nivel i ri përshkallëzimi. Tani duhet të jetë vendimtare që të gjitha palët të kthehen në një proces normal të dialogut.

Deutsche Welle: Por kur qeveria e Kosovës tenton të arrestojë protestuesit e dhunshëm, kjo interpretohet si provokim nga ana e Serbisë.

Thomas Hacker: Sulmet ndaj trupave të KFOR-it duhet të ndiqen penalisht. Serbia duhet t’i lirojë tre policët kosovarë menjëherë dhe pa kushte. Besoj se vetëm atëherë do të mund të kthehemi në një fazë dialogu. Duhet të vazhdojmë rrugën e vetme të duhur atë të bisedimeve, të cilën Komisioni Evropian e ka treguar me propozimet e kompromisit. Duhet theksuar se Aleksandar Vuçiq është çdo gjë tjetër, por jo paqebërës në rajon. Ai prej vitesh e ka futur sistemin mediatik nën kontroll. Prej vitesh është lëkundur mes anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Rusisë. Ai duhet të marrë vendimin tani. Shumë qytetarë e shohin qartë të ardhmen e vendit të tyre në BE. Qeveria serbe dhe presidenti Vuçiq nuk mund ta injorojnë këtë fakt.

Deutsche Welle: Çfarë prisni nga pala kosovare, e cila aktualisht po ndjen presionin më të madh?

Thomas Hacker: Që të zbatojë marrëveshjet, veçanërisht në lidhje me komunitetin serb në veri të Kosovës. Janë katër komuna, ndoshta 45,000 banorë, nevojitet një formë e bashkëpunimit të organizuar që do të dëshmojë vlerën e saj në planin afatgjatë. Serbia i ka bërë të qarta kërkesat e saj. Ato sigurisht që nuk duhet të përmbushen të tëra. Por edhe pala kosovare duhet të paraqesë një propozim, një model fillestar që mund të avancohet në bisedimet me Serbinë dhe me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian. Është sfidë për të dyja palët – për Kurtin dhe Vuçiqin. E di që historia personale e të dyve e bën jashtëzakonisht të vështirë diskutimin konstruktiv. Por marrëdhëniet fqinjësore mund të zhvillohen vetëm nëse dikush është i vetëdijshëm për të kaluarën e tij, por i mban sytë nga e ardhmja. Shembulli më i mirë për këtë është marrëdhënia Gjermani-Francë pas Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht ishte një bashkëjetesë paqësore mes ish “armiqve të përbetuar” derisa me shumë punë dhe shkëmbime të rinjsh u zhvillua një miqësi e vërtetë.

Deutsche Welle: Përpjekjet për dialog të deritanishëm kanë rezultuar vetëm në marrëveshje që nuk po zbatohen. Çfarë duhet të bëjnë BE-ja dhe Gjermania për këtë?

Thomas Hacker: Të dyja palët duhet të ndiejnë presion. Edhe pala serbe, duhet ta ndjejë presionin. Në rast nevoje, edhe duke vënë kushte për dhënien e fondeve. Nëse të dyja vendet duan seriozisht t’i bashkohen Bashkimit Evropian – e kjo është perspektiva qendrore për shumë vende të Ballkanit Perëndimor – atëherë kjo nuk do të jetë e mundur pa bashkëpunim dhe lëshime. Pastaj duhet të nënshkruhen, respektohen dhe zbatohen edhe marrëveshjet. Aleksandar Vuçiq ende nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit sepse padyshim që nuk mundet. Megjithatë, kjo marrëveshje është parakusht për të gjitha hapat e mëpasshëm.

Deutsche Welle: Komisioni i BE-së dhe SHBA-të po bëjnë thirrje për zgjedhje të reja në veri të Kosovës. Çfarë kuptimi kanë këto zgjedhje të reja, nëse serbët nuk duan të marrin pjesë, siç ishte në zgjedhjet e fundit të 26 majit.

Thomas Hacker: Gjatë vizitës së saj të fundit në Berlin presidentja e Kosovës tha se i mbështet zgjedhjet e reja në katër komunitetet serbe të Kosovës nëse plotësohen kërkesat e Kushtetutës. Parakusht është që 20 për qind e votuesve të nënshkruajnë një peticion për zgjedhje të reja. Pastaj ato mund të kryhen. Megjithatë, është thelbësore që Aleksandar Vuçiq të mos ndikojë negativisht në këtë proces dhe që Lista Serbe të mund të marrë vendime të pavarura. Nëse pala serbe i bojkoton sërish këto zgjedhje, atëherë duhet gjetur një mënyrë se si të  vijohet pa ata. Bashkimi Evropian e mbështetet këtë dialog dhe mbështet të dyja palët në kapërcimin  e pengesave.

Deutsche Welle: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në konferencën për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz në fillim të kësaj jave se NATO, më konkretisht KFOR-i, është e gatshme të ndërmarrë hapa të mëtejshëm nëse është e nevojshme. A do të thotë kjo se po mendoni të merrni administratën në veri të Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in?

Thomas Hacker: Unë nuk mendoj se tani është koha për të spekuluar për hapat e tjera. Si Bashkim Evropian, ne duhet të sigurojmë që hapat e dakorduar të zbatohen nga të dyja palët. Gjermania është e gatshme për këtë. Duhet të bëjmë gjithçka që bashkëpunimi të funksionojë. Procesi i Berlinit është një platformë e përshtatshme instrumentesh për këtë. Përmes tij, vitin e kaluar arritëm marrëveshje që në të ardhmen do të kontribuojnë për më shumë liri të lëvizjes në vendet e Ballkanit Perëndimor. Fatmirësisht, të dyja vendet, si Kosova, ashtu edhe Serbia, i kanë miratuar këto marrëveshje. Kjo është rruga që ne duhet të përshkojmë. Çdo gjë tjetër do të ishte një e ardhme e zymtë që ne mund ta shmangim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img