Deputeti gjerman, Michael Helmut Roth ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 18 mars në Ohër, duhet të zbatohet nga të dyja palët.
Në një bisedë për mediumin serb “Novi Magazin”, Roth tha se Kosova, bashkë me pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë një shans real për t’u bërë pjesë e BE-së.
“Jam këtu në momente vendimtare për të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës dhe rruga për të dyja vendet është drejt Bashkimit Evropian. Dhe, e përsëris, jam plotësisht i bindur se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një shans real për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha ligjvënësi gjerman.
Sipas tij, dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga elementët kyç për rrugën e tyre drejt BE-së.
Tutje, ai thotë se ndonëse shoqëria civile në Serbi është jashtëzakonisht e ndjeshme kur bëhet fjalë për Kosovën, në fund të fundit “ajo që na duhet vërtet është lidershipi i guximshëm”.
“Udhëheqja e guximshme e Presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti për të kapërcyer polemikat, për të vendosur baza të përbashkëta për pajtim, besim të ndërsjellë… Dhe prandaj jam i sigurt se marrëveshja e Ohrit është një hap i rëndësishëm përpara dhe pritshmëria ime e qartë është që të dyja palët të zbatojnë atë që kanë premtuar”, deklaroi deputeti gjerman, që njëherësh është edhe Kryetari i komitetit të Bundestagut për Punët e Jashtme.
Roth deklaron se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është një sfidë e madhe për Kosovën por edhe për Serbinë dhe thotë se shpreson me të vërtetë që të ketë një shans që presidenti i Serbisë dhe qeveria e Kosovës të tregojnë përkushtimin e tyre ndaj kësaj marrëveshjeje.
Ndër të tjera, ai u shpreh i pakënaqur me komentet që thotë se shpërfillin thelbin e kësaj marrëveshjeje… “Baza e marrëveshjes ishte propozimi gjermano-francez dhe negociatat ishin nën kujdesin e Bashkimit Evropian me të dërguarin special Lajçak dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendës President i Komisionit Evropian, Borrell”.
“Dhe kjo është arsyeja pse unë shpresoj që lidershipi i të dyja palëve do t’i mbajë premtimet e tyre”, tha Roth.
Michael Helmut Roth është një politikan gjerman nga radhët e Partisë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD). Ai ka qenë deputet i Bundestagut Gjerman që nga 27 shtatori 1998 dhe që nga dhjetori 2021, kryetar i Komisionit të Bundestagut për Punët e Jashtme, transmeton Klan Kosova.
I pyetur nga “Novi Magazin” se cila është arsyeja e vizitës së tij në Serbi, ai thotë se ka të bëjë me shkëmbimin e mendimeve me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë, Kuvendit dhe shoqërisë civile.
“Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor ka qenë gjithmonë çështje e afërt për mua. Në takime, unë do të fokusohem gjithashtu në përgjigjen tonë të përbashkët evropiane ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Roth.