Site icon PrishtinaPress

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund të ndikojë te shumica e shteteve kundër Kosovës në KiE

Finlanda po e mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Madje, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Parlamentit të Finlandës, Kimmo Kiljunen, tregon se edhe në fazën e fundit Kosova do ta ketë mbështetjen e shtetit finlandez, por siç thotë ai qeveria duhet të bëjë disa hapa drejt respektimit të marrëveshjes për Asociacionin.

Sipas tij është tejet e rëndësishme që 1.7 milionë qytetarë të Kosovës të kenë qasje në Gjykatën Evropiane të të drejtave të njeriut.

“Që nga fillimi ne kemi qenë përkrahës të idesë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Për neve është shume e rëndësishme që 1.7 milionë qytetarë të Kosovës të kenë qasje në Gjykatën Evropiane të të drejtave të njeriut. Ne do të vazhdojmë t’iu mbështesim edhe në hapat e ardhshëm. Në këtë fazë institucionet e Kosovës duhet të kujdesen për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të mos lejohen më tensione të panevojshme. Tani para mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte shumë mirë që Kosova t’i ndërmarr disa hapa konkret për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kjo është një marrëveshje në kuadër të dialogut me Serbinë dhe është e rëndësishme të respektohet”, ka thënë ai për Tëvë 1.

Kiljunen, thotë se Serbia nuk ka forcë që ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai konsideron se shteti më i ri ne Evropë e gëzon mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare të kësaj organizate.

“Ne e kuptojmë qëndrimin e Serbisë por ata nuk mund t’ua imponojnë të tjerëve qëndrimin e tyre sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Pranimi i një i shteti të ri bëhet me 2/3 të shumicës dhe Serbia nuk mund ta diktoj këtë gjë. Nga delegacioni serb më kanë thënë se ata nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës, por edhe unë ia kam bërë të qartë atyre se nuk do jenë kurrë pjesë e BE-së nëse nuk e zgjidhin këtë çështje. Përgjigjja ime nuk iu pëlqeu por ata e kuptuan mesazhin” , ka thënë Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Parlamentit të Finlandës.

Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe tani çështja ka kaluar në Komitetin e Ministrave.

Hartuesja e raportit pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, ka deklaruar se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës para diskutimit për anëtarësim në këtë organizatë.

Exit mobile version