Këshilltari i Partisë Boshnjake në Kuvendin e Tuzit, njëkohësisht dhe deputet në Parlamentin e Malit të Zi, Nexhad Dresheviq, ka paraqitur iniciativën në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë të nenit të Statutit të Kryeqytetit, i cili parasheh që në Komunën Urbane të Tuzit, në përdorim zyrtar është edhe gjuha shqipe.
Dresheviq konsideron se ky nen nuk është në pajtim me Kushtetutën e Malit të Zi. Ai në këtë iniciativë thekson se ky nen i statutit nuk është në pajtim me ligjin për vetëqeverisje lokale i cili garanton mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të pakicave në pajtim me Kushtetutën, shkruan “Dan”.
Dresheviq kërkon që boshnjakëve në Komunën e Tuzit t’u sigurohen të gjitha të drejtat duke përfshirë këtu edhe të drejtën për gjuhën e tyre, dhe ajo është gjuha boshnjake. Deklarimin mbi iniciativën e Nexhad Dresheviq gjykatës ja ka dërguar sekretari i Komunës së Podgoricës, Veselin Vukçeviq, transmeton “gazetadita”.
Duke pasur parasysh se në Komunën e Tuzit shumicën e popullatës e përbëjnë shqiptarët, në mënyrë të qartë tregon se neni i kontestuar nga ana e Dresheviq është në përputhje me ligjin, mbi bazën e të cilit është përcaktuar përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, shkruan mes tjerash në letrën e Vukçeviq dërguar Gjykatës.
Vukçeviq i ka propozuar Gjykatës Kushtetuese që mos të pranojë iniciativën e Nexhat Dresheviq pasi që neni është në përputhje me ligjin. Mendimi i Vukçeviq njëzëri është përkrahur edhe nga anëtarët e këshillit të statuteve dhe rregulloreve.