Kështu është thënë sot gjatë publikimit të raportit të monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI).
Agnesa Haxhiu nga KDI theksoi se në fillim të vitit 2018 dalja nga koalicioni i Listës Serbe ka ndikuar që seancat e Kuvendit kanë qenë të bllokuara dhe pa mundësi për vendimmarrje.
“Punën e Kuvendit në vitin 2018 e ka karakterizuar mungesa e kuorumit e cila ka bllokuar vendimmarrjen në shumicën e seancave plenare dhe ka detyruar kryesuesin e seancës të shtyjë punimet. Si rrjedhojë, shumë pika të pa përfunduara të rendit të ditës nga seanca të ndryshme janë grumbulluar dhe vendosur në agjendën e një seance të vetme, fenomen ky që është përsëritur vazhdimisht përgjatë vitit”, tha Haxhiu.
Përvec bojkotit të pjesshëm të punës së Kuvendit nga grupet parlamentare të LDK-së dhe VV-së në sesionin vjeshtor të punës së Kuvendit, edhe pjesëmarrja e deputetëve tjerë nuk ka qenë e rregullt.
Sipas raportit të KDI përgjatë vitit 2018, në total deputetët kanë realizuar 1671 mungesa.
Sa i përket mungesave të deputetëve sipas grupeve parlamentare me më së shumti mungesa është grupi parlamentar i LDK me gjithsej 436 mungesa, ndjekur nga VV me 257, Lista Serbe me 255, PDK me 196 dhe PSD me 186 mungesa.
Grupi parlamentar me më së paku mungesa janë GP 6+ me 54 mungesa, NISMA me 76 mungesa dhe AAK me 132 mungesa.
Ndërsa, Kuvendi ka shënuar regres në transparencën financiare duke publikuar vetëm raportin financiar për nëntëmujorin e vitit 2018, i cili flitet për 300 udhëtime jashtë vendit me një kosto prej rreth 240 mijë euro.
Vetëm për periudhën prill-qershor 2018, shpenzimet e deputetëve në udhëtime jashtë vendit janë rritur për 86 përqind në krahasim me tremujorin e parë të vitit dhe nga to kanë përfituar 87 deputetë nga 120 deputetë.