Site icon PrishtinaPress

Deputetët sot debatojnë në seancë të jashtëzakonshme për arrestimin e Nagip Krasniqit

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme.

Seanca e cila pritet të fillojë në orën 11:00 është në lidhje me arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi dhe është thirrur nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Përmes një postimi në Facebook , Tahiri ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesën nga 40 deputetë për këtë seancë të jashtëzakonshme për ditën e sotme.

Ai ka thënë se gjatë kësaj seance do të kërkojnë përgjegjësi për rastin e arrestimit për korrupsion të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

Në këtë seancë pritet të zhvillohet debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

Ndryshe, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut ka marrë vendim për pezullimin e Nagip Krasniqit nga detyra e punës së kryeshefit ekzekutiv, me efekt të menjëhershëm.

Bordi të martën ka mbajtur mbledhje dhe ka marrë vendimin për pezullim si dhe vendimin për zëvendësimin e Krasniqit.

Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. kryeshefit ekzekutiv bordi ka emëruar Përparim Kabashin, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.

Krasniqi është arrestuar më 19 prill nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit

Exit mobile version