Mosratifikimi i Projektligjit të Demarkacionit tash e 2 vjet, ka mbajtur qytetarët e Kosovës të izoluar, duke bërë kështu që ne të mbesim populli i vetëm në rajon pa liberalizimin.
Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes ky Projektligj ka qenë vetëm një herë si pikë e rendit të ditës në Kuvend, në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës, mirëpo prapë nuk ishte marrë iniciativa të votohet duke bërë që kjo marrëveshje të largohej nga rendi i ditës.
Mosratifikimi i kësaj Marrëveshje është rezultat i kundërshtimit të opozitës së kaluar dhe tash disa deputetëve që janë në qeverisje.
Por, disa qëndrime kanë filluar të ndryshojnë dhe pritet që brenda këtij muaji Demarkacioni të marrë epilog.
Ramush Haradinaj, i cili ka qenë deri vonë kundër kësaj çështjeje, tashmë ka filluar të ndryshojë mendimin rreth kësaj çështjeje.
Mbrëmë në një intervistë për Zërin e Amerikës ai ka thënë se Demarkacioni mund të korrigjohet. Ai është shprehur me shpresë se mund të korrigjohen, siç i ka quajtur ai, gabimet që janë bërë në nisje të procesit.
I pyetur se partitë opozitare thonë se Qeveria “Haradinaj” nuk do të mundë të zgjasë mandatin më shumë se gjashtë muaj, Haradinaj ka thënë se e rëndësishme është që ata do të jenë në shërbim të qytetarëve, por se nuk është e rëndësishme sa do të zgjasë.
“Shikoni, është me rëndësi që një orë, një ditë, një muaj, gjashtë muaj sado që punojmë ne të jemi në shërbim të vendit, ajo është kryesorja e jo sa do të zgjasë një qeveri por a do të jetë në shërbim të qytetarëve apo të vendit. Unë besoj që do të kemi një mandat të plotë dhe do të punojmë që gjatë këtij mandati të plotë vërtet të ndodhë në Kosovë ajo që pritet prej nesh edhe prej meje në këtë rast se e di që pritjet janë të mëdha dhe jam i vetëdijshëm, mirëpo do të jem edhe serioz në punë”, ka thënë Haradinaj.
Gjithashtu, edhe nga ana e deputetit të AAK-së, është kërkuar që të gjendet një zgjidhje për Demarkacionin.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka folur dje para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Haradinaj ka dhënë një opsion se si mund të zgjidhjet kjo çështje, duke shtuar se politikanët duhet t’i bashkojnë forcat për tejkalimin e kësaj çështjeje.
“Kolegët e mi, po ju them sinqerisht, nuk po dua të shitem patriot, por të gjithë që jemi këtu jemi për t’i dhënë drejtim temave për të cilat jemi lodhë me to. Presionin ndërkombëtar po e shihni për demarkacionin. Nuk do të heqim dorë për asnjë metër, por duhet t’i bashkojmë fuqitë për t’i dhënë drejtim. Kurrkush nuk po thotë t’ia japim as Kullën as Çakorrin askujt, por një zgjidhje duhet të gjendet”, ka thënë Haradinaj
Ndërsa, deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se pas një takimi që ka pasur me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj është optimist se Kuvendi më në fund do të kalojë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Deda ka thënë se ka marrë informata nga Limaj lidhur me një iniciativë që të arrihet një marrëveshje garantuese me Malin e Zi, që nëse gjenden gabimet mund të ketë rinegocim.
“Zyrtarisht me kërkesë të zv.kryeministrit Fatmir Limaj jemi takuar sot më herët. Më ka informuar për iniciativën e tij për biseda në Mal të Zi dhe jam që t’i japim hapësirë. Më tregoi që Mali i Zi është i gatshëm që të ndihmojë Kosovën që ta kalojë demarkacionin. Nëse shkon siç jemi informuar, ma merr mendja se i gjithë Kuvendi do të votojë Marrëveshjen e Demarkacionit. Ne nuk guxojmë ta rrëzojmë demarkacionin në Kuvend. Ideja është të miratohet me garanci. Ka shumë mundësi si dy qeveri mund të marrin garancinë, zotimin, përkushtimin apo çkado që është vetëm le të na çojë tutje”, ka thënë Deda në Interaktiv të KTV-së.
Deda ka thënë se nëse Kosova dëshiron që në dhjetor të ketë liberalizim të vizave kjo duhet të përfundojë në muajin shkurt. Sipas tij, në të kundërtën liberalizimi nuk bëhet as më 2019.