Site icon PrishtinaPress

Deputetët e VV-së duan ligj të veçantë për veteranët – po ndodhin manipulime, kontributi të vlerësohet

Deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari e Enver Dugolli po vlerësojnë se veteranët dhe punëtorë janë dy kategori të ndara dhe se duhet të trajtohen me ligje të veçanta.

Dehari i tha Ekonomia Online se Ligji për Pagën minimale i referohet kontributdhënësit, pra e rregullon çështjen e atyre që janë në marrëdhënie pune.

Ata që nuk e bëjnë dallimin sipas Deharit, janë të manipuluar për qëllime politike ose nuk e kanë të qartë dallimin. Dehari shtoi se veteranët nuk duhet të lihen pas dore dhe se çështja e tyre do të trajtohet me doemos.

“Si në të shumtën e rasteve edhe kjo po keqinterpretohet. Paga minimale është për ata që kontribuojnë, për punëtorët. Edhe për veteranët do të ketë ligj të veçantë. Dhe kanë të drejtë të kërkojnë paga më të mira. Është e drejtë e tyre dhe ju takon. Mirëpo sipas normave ligjore nuk përfshihen tek paga minimale e kontributdhënësit”.

“Tjetër kategori janë punëtorët, tjetër kategori janë veteranët. Dhe ata duhet të trajtohen, do të trajtohen me patjetër edhe ata. Por, dikush edhe mund të mos i ketë të qarta, dikush mund edhe të manipulohet. Dikë e manipulojnë edhe për qëllime politike, gjë që nuk është në rregull, sepse problemi i tyre duhet me çdo kusht të trajtohet. Veteranët nuk duhet të lihen pas dore”, u shpreh deputeti Dehari.

Edhe deputeti Enver Dugolli, u shpreh gjithashtu se Ligji për pagën minimale pa pasur për synim  përcaktimin dhe definimin e pagës minimale, e jo për veteranët.

Dugolli theksoi se kjo shkëputje është bërë që në vitin 2017,  duke shtuar se do të bëjnë të mundur që veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të jetë i përfaqësuar dhe i shpërblyer për kontributin e jashtëzakonshëm, raporton EO.

“Kryeministri e ka potencuar disa herë se ne jemi të interesuar që të punojmë në atë drejtim, ta bëjmë ligjin ligj sa më të mirë dhe ku veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jetë edhe i përfaqësuar edhe i shpërblyer për kontributin e jashtëzakonshëm, ligji që e kemi kaluar ka qenë Ligji për pagën minimale, nuk ka qenë ligji për veteranë”.

“Janë dy çështje krejtësisht të ndryshme. Ligji për veteranë është diçka tjetër, ligji për pagë minimale është diçka tjetër. Qysh në vitin 2016-17 është bërë shkëputja që ka të bëjë me pagën minimale, pra këtu ka nxitim sa i përket këtij ligji. Ligji për pagën minimale ka kohë që nuk është rishikuar, tani ka kaluar në lexim të dytë, e opozita e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, ta shohim epilogun”.

Exit mobile version