Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, kanë pritur sot në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë.
Kështu ka bërë të ditur Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Bashkë me kolegët deputetë nga AAK, kishim kënaqësinë që në ambientet e Kuvendit të Kosovës të presim në takim delegacionin nga Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë. Në takim falënderuam SHBA-në për mbështetjen e tyre në të gjitha etapat duke theksuar se miqësia mes dy vendeve është e përjetshme”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO.
“Në takim theksuam se synimi i shtetit tonë është anëtarësimi në NATO, proces ky që do të avancojë përspektiven integruese të Kosovës. Partneriteti me shtetin e IOWA deri më tani ka qenë një tregim suksesi sa i përket bashkëpunimit në forcimin e kapaciteteve ekzistuese të ushtrisë sonë”, ka shtuar Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga Amabsadorët që të lobojnë për liberalizimin e vizave me ShBA-në.
“Gjithashtu, kërkuam ndihmën e ambasadorëve për lobim në çështjen e liberalizimit të vizave nga SHBA për qytetarët e Kosovës”.
“Ky takim është zhvilluar me ftesë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, të cilët i falënderuam për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm dhe realizimin e kësaj vizite”, ka përfunduar Tahiri.