Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi është shpallur fajtor për grushtin që ja kishte dhënë Ramadan Zymerit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë.
Gjykata Themelore e Prishtinës- Dega në Podujevë, të akuzuarin Shpejtim Bulliqi e dënoi me gjobë në shumë prej 500 Euro, të cilin dënim, i akuzuari është i detyruar të paguajnë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Burimet e IndeksOnline brenda gjykatës kanë konfirmuar se aktgjykimi është dhënë me 1 mars të këtij viti apo një vit pas ndodhjes së rastit.
Sipas gjykatës, me datën 9 shkurt 2021, rreth orës 09:00, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, i pandehuri pas një mosmarrëveshje gojore me Ramadan Zymerin, tani i dëmtuar, me dashje i shkakton lëndim trupor në atë mënyrë që e godet të dëmtuarin me grusht në fytyrë në pjesën e majtë afër gojës, me ç’rast të dëmtuarit sipas ekspertizës mjeko-ligjore i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Gjithnjë sipas vendimit të gjykatës së Podujevës, nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund ta paguaj gjobën brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë, atëherë gjykata do ti zëvendësoj dënimin me gjobë me dënim me burgim, duke ia llogaritur 1 ditë burgim, me 20 Euro të gjobës.
“Detyrohet i akuzuari që të paguaj shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 20 euro për ekspertizën mjeko-ligjore, në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20.00 €, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave të paguaj shumën prej 30 €uro, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. I dëmtuari Ramadan Zymeri për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohet në kontest civil”, thuhet në aktgjykim.
Ende nuk dihet nëse është paguar gjoba apo i akuzuari ka ushtruar ankesë ndaj aktgjykimit.