1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Dënohet me 18 vjet burgim i riu që vrau me thikë babain dhe vëllain në veri të Mitrovicës

I akuzuari për vrasje e babait dhe vëllait të tij në Veri të Mitrovicës është dënuar me 18 vjet burgim, pasi u konstatua se veprën e ka kryer në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore. Rasti ka ndodhur më 27 maj të vitit të kaluar, kur avokati Milan Bigovic dhe djali i tij, Uroš, mbetën të vdekur.

Ndaj të akuzuarit, gjykata ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik, me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor.

Aktgjykimi është shpallur të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 24 tetor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër M.B, me arsyetimin se më 27 maj 2022, në orët e hershme të mëngjesit dhe atë brenda orëve 05:00 – 06:00, në Mitrovicë, në rrugën “Kral Petri”, me dashje dhe në mënyrë dinake ka privuar nga jeta anëtarët e familjes së tij, babain e tij M.B dhe vëllain U.B.

Sipas aktakuzës, si rezultat i mosmarrëveshjeve familjare me prindin e tij M.B, i akuzuari natën kritike shfrytëzon situatën derisa të njëjtit ishin në gjumë, paraprakisht shkon në dhomën e të ndjerit U., ku me thikë të kuzhinës të gjatësisë 33.5 cm e godet në gjoks dhe atë në zonën e zemrës, i cili ishte në gjumë dhe i cili nga goditja vdekjeprurëse nuk ka mundur të ofrojë rezistencë, ndërkohë që thikën ia lë të ngulitur në gjoks.

Pastaj, në aktakuzë thuhet se i pandehuri del nga dhoma e të ndjerit U. ku pastaj i njëjti, i pajisur me thikë tjetër të kuzhinës e pret për një kohë babain e tij M. që të zgjohet nga gjumi për të shkuar në banjo dhe pasi që i njëjti zgjohet nga gjumi dhe drejtohet për në banjo i pandehuri e godet me thikë në abdomen, në këtë rast i dëmtuari M., manifeston rezistencë dhe arrin që ta rrëzojë të pandehurin në dysheme dhe t’ia marrë thikën, ku pas këtij momenti fillon të thërras djalin e tij U., ku hyn në dhomën e të ndjerit U. dhe e sheh të vdekur.

Tutje, sipas aktakuzës tani i ndjeri M. fillon të bërtas duke kërkuar ndihmë ashtu i lënduar me dy thika të kuzhinës dhe disi troket në derën e fqinjit të tij Drazho Dragoljub, ku pastaj Dragoljubi thërret ndihmën e shpejtë dhe i dëmtuari dërgohet në spital, por i njëjti edhe përkundër përpjekjeve për reanimim ndërron jetë në spital dhe atë si rezultat i gjakderdhjes së brendshme masive në regjionin e barkut, si pasojë e plagës shpuese-prerëse në regjionin e përparmë të barkut, nga veprimi i mjetit të fortë, të mprehtë dhe me maje (thikës).

Ndërkohë, tani i ndjeri U.B vdes si rezultat i gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kraharorit, si pasojë e plagës shpuese-prerëse në regjionin e kraharorit, si pasojë e plagëve shpuese – prerëse në regjionin e aortës torakale nga veprimi i mjetit të fortë, të mprehtë dhe me maje (thikës), raporton Betimi për Drejtësi./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img