Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, ka njoftuar se kanë arrestuar sot një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Manipulim me prova”.
“Inspektorati Policor sot në orët e pasdites përmes rrugëve operative kishte pranuar informacione se ky zyrtar policor dyshohet se ka dëmtuar disa kamera të sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të vendit të ngjarjes ku është zhvilluar dje operacioni i përbashkët anti-drogë i policisë dhe doganës në fshatin Izvor të Zveçanit”.
“Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK’së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar sot në mbrëmje kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë . Hetuesit e IPK’së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK’së.
Aksioni i Policisë së Kosovës në Izvor të Zveçanit ka rezultuar me gjetjen e një laboratori të drogës, në të cilin ndodheshin rreth 11 mijë fije marihuanë. Paraprakisht në atë zonë ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, por nuk pati të lënduar. Në vendngjarje u gjetën gëzhoja plumbash.
Lidhur me rastin reagoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se vlera e drogës së konfiskuar rezulton në vlerë 6 milionë euro.