Dje, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, kishte thënë se ish kryeministri Ramush Haradinaj e kishte dërguar për shërim jashtë vendit nënën e tij me para të shtetit.
Ndaj saj, pati reagime të ashpra pasi ajo ishte dërguar për shërim në Shqipëri, dhe ishte nëna e disa dëshmorëve.
Analisti Agron Demi, ka bërë krahasime duke përmendur emra të politikës botërorë që nuk janë shëruar me para të shtetit.
Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se, Joe Biden, nuk ka shfrytëzuar paratë e shtetit për shërim.
“Djali i kandidatit demokrat për president të ShBA, Joseph R. “Beau” Biden III ishte, prokuror, ushtarak dhe politikan. Kur u sëmurë prej kancerit, babai i tij Joe Biden planifikonte të shiste shtëpinë që ti mbulonte shpenzimet e kurimit. Presidenti Obama ofroi t’i huazonte para për shërim. Askujt nuk i kishte shkuar as në përmend që shpenzimet e spitalit t’i mbulonin nga buxheti i ShBA”, thotë ai.
Më tej ka marrë shembull të tjerë për të cilët thotë se disa kanë refuzuar t’i përdorin mjetet e shtetit e disa të tjerë nuk kanë pasur mundësi…
“Një ndër regjisorët më të mirë në botë Krzysztof Kieśloëski kishte refuzuar të operohej jashtë vendit, edhe pse ishte paralajmëruar se spitalet polake nuk mund të kryenin operacionin që kërkohej. Edhe pse nuk ishte fajtorë për gjendjen në shëndetësi, ai u operua në vendin e tij.
Naim Maloku, ushtarë i UÇK dhe ish-deputet, kishte refuzuar paratë e Qeverisë për tu shëruar jashtë vendit. Ani pse Naimi është më së paku fajtorë për gjendjen në shëndetësinë e Kosovës”, ka thënë më tej.
Demi ka përmendur kreun e LDK-së, Isa Mustafa për të cilin qeveria kishte ndarë në 2018, gati 40 mijë euro për shërim.
“Isa Mustafa ishte kryeministër. Por për shërim nuk iu drejtua spitaleve të Kosovës, ani pse për gjendjen e keqe të tyre ai është bashkëfajtorë. Qeveria në mars 2018 ka ndarë 39.700 euro për shërimin e tij”.
Përmendi dhe Bukishin.
“Qeveria ndau 30 mijë euro për shërimin e Bujar Bukoshit. Ani pse Bukoshi e Isa Mustafa kurrë nuk kanë dhënë llogari për 50 milionë eurot e mbetura nga Fondi 3%”.
Po ashtu Xhavit Halitin
“Kuvendi i kishte ndarë 18.000 euro Xhavit Halitit për një intervenim jashtë vendit, ani pse Haliti kishte deklaruar 110 mijë euro para të gatshme dhe pasuri të paluajtshme mbi një milion euro”.
Ndërkaq për Bajrush Xhemajlin ka thënë se “ kishte shkaktuar aksident komunikacioni, ai ishte transportuar me urgjencë për shërim jashtë vendit, kurse viktima e tij ishte lënë të vdiste në spitalet e Kosovës…”
“Andaj, s’po durohet asesi histeria e politikanëve të PAN dhe LDK, fajtorët kryesorë për gjendjen në shëndetësi, ndaj një deklarate të deputetes Pacolli e cila e ilustroi gjendjen në shëndetësinë e Kosovës duke marr si shembull se si as kryeministrat nuk i besojnë sistemit të shëndetësisë të cilin vetë e kanë pru në këtë gjendje”, ka shkruar Demi në fund. /Telegrafi/