Pas stuhisë që goditi të shtunën Prishtinës, ekipet komunale kanë intervenuar në 13 raste të ndryshme për të sanuar dëmet e shkaktuara.
Siç thuhet në komunikatën për media nga Komuna e Prishtinës, në terren kanë intervenuar ekipet e drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Shërbimeve Publike në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe punëtorët e “Hortikulturës” dhe Policinë.
“Ekipet e drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, e Shërbimeve Publike të Kryeqytetit në bashkëpunim me Brigadën profesionale të Zjarrfikësve, punëtorët e ndërmarrjes publike komunale “Hortikultura” dhe policinë kanë intervenuar në zona të ndryshme të kryeqytetit për të sanuar dëmet e shkaktuara nga stuhia e shiut që preku Prishtinën gjatë ditës”, thuhet në komunikatë.
Nga komuna kanë falënderuar ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, për “shprehjen e gatishmërisë për të na ndihmuar në rast nevoje”.
Punët thuhet se janë duke vazhduar ende dhe deri tani ekipet kanë intervenuar në pastrimin e rrugëve nga degët dhe pemët e rrëzuara nga stuhia, largimin e kulmeve të dëmtuara e po ashtu kanë larguar ujërat nga oborret e shtëpive të disa qytetarëve.
“Do të qëndrojmë pranë qytetarëve për t’iu ndihmuar aty ku kanë nevojë. Jemi duke punuar intensivisht që të pastrojmë gjithë zonat e prekura nga shiu i rrëmbyeshëm që
ra gjatë ditës. Falënderoj të gjithë të angazhuarit, zjarrfikësit, policët e punëtorët e palodhshëm të ndërmarrjes publike komunale “Hortikultura”. Lus qytetarët që të thërrasin pa pagesë në numrat e telefonit 0800 122 33 dhe 0800 122 44 dhe të na informojnë për dëmet që mund të kenë pësuar nga stuhia e shiut”, ka deklaruar Lulzim Fushtica, drejtor për siguri dhe emergjenca në kryeqytet.
Sipas komunës, ekipet e angazhuara do të vazhdojnë punën edhe më tutje në terren.