Site icon PrishtinaPress

Dëmet nga moti i ligë, Rama: E kemi larguar lisin e rrëzuar dhe e kemi pastruar zonën

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se pas erërave të forta dhe shiut të rrëmbyeshëm që përfshiu kryeqytetin këtë të shtunë, ekipet kanë dalë në terren për të sanuar dëmet e shkaktuara.

Ai ka bërë të ditur se reagimi ka qenë i menjëhershëm, duke e larguar lisin që u rrëzua në rrugën “Luan Haradinaj” si dhe është pastruar zona.

“Ju informojmë se jemi të angazhuar maksimalisht me të gjitha ekipet tona në terren për të sanuar dëmet e shkaktuara nga stuhia e shiut. Reagimi i ekipeve tona në terren bashkë me zjarrfikësit ka qenë i menjëhershëm, kemi larguar lisin e rrëzuar nga rruga “Luan Haradinaj” dhe e kemi pastruar zonën”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kryetari ka falënderuar punëtorët e ndërmarrjes Hortikultura për reagimin e shpejt.

Moti i ligë ka bërë që në shumë rrugë të kryeqytetit të vështirësohet qarkullimi, si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm. Ndërsa, erërat kanë rrëzuar edhe disa drunj në qytet.

Erërat e forta kanë rrëzuar edhe kulmin e një objekti në lagjen Bregu i Diellit.

Si pasojë e situatës së krijuar ka reaguar kryetari i Prishtinës i cili ka apeluar te qytetarët që të reduktojnë lëvizjet.

Exit mobile version