E analistët kosovarë mendojnë se më të humburit nga ky “ngërç”, janë qytetarët e Kosovës.
Analisti Imer Mushkolaj, ka theksuar se shkaku i mosmarrëveshjeve, inateve partiake dhe mungesës së vullnetit për ta zgjidhur çështjen e demarkacionit, kosovarët janë privuar nga e drejta për të lëvizur lirshëm në zonën Shchengen.
“Ndërkohë që fituese nuk ka dalë asnjëra palë. Vendi është dëmtuar nga bllokimi i demarkacionit dhe fajtor kryesor për këtë është kryeministri Isa Mustafa dhe qasja e tij përjashtuese ndaj opozitës. Një vullnet më i madh dhe një qasje joarrogante nga ana e tij do të bënte që tash demarkacioni të ishte zgjidhur dhe, rrjedhimisht, shanset për lëvizje të lirë të qytetarëve të ishin shtuar dukshëm”, ka vlerësuar Mushkolaj.
Në anën tjetër, analisti Arben Ahmeti, ka thënë se demarkacioni është një temë që shpërfaq naivitetin dhe paaftësinë profesionale të institucioneve të Kosovës, por edhe klasës politike në përgjithësi.
Ai ka theksuar se “e vërteta nuk është as pretendimi i opozitës për 8 mijë hektarë, por as ai i qeverisë për asnjë hektar të humbur”.
“Matjet e fundit tregojnë që Kosova megjithatë ka humbur 2 mijë hektarë me marrëveshjen e demarkacionit. Kjo humbje nuk ka ndodhur për shkak të pretendimeve të Malit te Zi, por për shkak të paaftësisë se komisionit kosovar”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Mali i Zi është partneri më strategjik – prej fqinjëve – i Kosovës, duke shtuar se “në këtë kohë kur rajoni ballafaqohet me radikalizmin islamik në njërën anë dhe ndikimin rus në anën tjetër, një aleancë në mes Kosovës, Shqipërisë, Malit te Zi dhe Maqedonisë është e domosdoshme”.
“Është për të ardhur keq që një temë e tillë mban peng raportet Kosovë – Mali i Zi”, ka shtuar Ahmeti.
Ndryshe, demarkimi i vijës kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, po mbet i pazgjidhur edhe gjatë këtij viti, duke bërë kështu – siç pretendohet – që vendi të privohet nga liberalizimi i vizave.
Derisa opozita pretendimet e pushtetit thekson se nuk qëndrojnë sepse sipas tyre, ka mjaftë vende në Bashkimin Evropian (BE), të cilat e kanë të pazgjidhur çështjen e kufirit.