Site icon PrishtinaPress

Demarkacioni në dorë të Vuçiqit!

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi nuk do të mundë të kalojë pa votat e Listës Serbe, e cila kontrollohet direkt nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Koalicioni qeverisës, bashkë me LDK-në, vlerësohet se nuk i ka më shumë se 75 vota, të pamjaftueshme për miratimin e Marrëveshjes. Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se është unike kundër, shkruan “Zëri”.

Pavarësisht se seanca për ratifikimin e Demarkacionit pritet të mbahet nesër, koalicioni qeverisës ende nuk i ka të sigurta votat për kalimin e kësaj marrëveshjeje.

Koalicioni qeverisës edhe me votat e LDK-së, pa votat e Listës Serbe, nuk mund ta miratojë Demarkacionin, pasi që llogaritet se nuk i kanë më shumë se 75 vota, pavarësisht 80 votave të nevojshme.

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, tashmë është deklaruar publikisht se nuk do ta mbështesë këtë marrëveshje, ndërsa disa deputetë nga dy partitë e tjera të koalicionit, AAK e Nisma, kanë bërë të ditur se ende nuk kanë vendosur nëse do ta votojnë apo jo Projektligjin për Demarkacionin.

Derisa LDK-ja tashmë ka pohuar se të gjithë deputetët e saj do ta mbështesin këtë marrëveshje, LVV-ja po vazhdon të qëndrojë e prerë se nuk do ta votojë atë.

Nga ana tjetër, nga Kryesia e Kuvendit kanë thënë se po që se Demarkacioni dështon të ratifikohet edhe për herë të tretë (nesër), atëherë seanca duhet të shtyhet sërish për një ditë tjetër.

Exit mobile version