Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë që raportet ndërkombëtare për Kosovën do të përkeqësohen për shkak të dështimit të qeverisë në luftën ndaj korrupsionit dhe në mënyrën e trajtimit të mediave.
“Se në çfarë gjendje e ka sjellë vendin Qeveria Kurti, flet më së miri Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, i cili shpërfaq më së miri paaftësinë e kësaj Qeverie për të ndërtuar institucione të pakorruptura dhe kredibile”, ka shkruar Deliu në Facebook.
“Raporti flet për korrupsion serioz qeveritar dhe mosndëshkim të zyrtarëve qeveritarë, probleme me pavarësinë e gjyqësorit, kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, dhunë të gjerë me baza gjinore, përfshirë dhunë në familje, krimet të dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera”.
“Raportet për Kosovën do të vazhdojnë të përkeqësohen në një Qeveri në të cilën politikanët tentojnë të frikësojnë mediat”, ka përfunduar ajo.