Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka thënë se Qeveria Kurti duhet të shkojë sa më shpejt në shtëpi.
Deliu ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti po fsheh me qëllim qëndrimet e këshilltarit serb Cvetko Veljkoviq, të cilat sipas saj, janë kundër Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Deklaratat e Shkelzen Gashit si këshilltar i Albin Kurtit kundër UÇK-së u menduan se ishin shkarje momentale e një individi. Madje shkarkimi i tij i shpejt u arsyetua si qëndrim personal por jo i qeverisë dhe shefit të tij të shkarkuar, Albin Kurti.
Por, nuk kaloi java nga provokim i rëndë për qindra mijëra qytetarë, veteranë, viktimave civile e familjarë të dëshmorëve të UÇK-së, që të shokohemi nga një tjetër veprim skandaloz i kësaj qeverie. Pa fije turpi, për këshilltar politik të kryeministrit u emërua një njeri që ka simpati për kriminelin e luftës, Ratko Mladiq dhe është kundër pavarësisë së Kosovës. Në fotografinë e të parit të qeverisë me këshilltarin serb, Cvetko Veljkoviq, ai shpreh lumturinë për emërimin e tij por nuk e thotë asnjë fjalë të së kaluarës së tij. Kurti fsheh me qëllim qëndrimet kundër Kosovës të këshilltarit të sapoemëruar”, ka shkruar Deliu në Facebook, përcjell Telegrafi.
Tutje, deputetja Deliu ka thënë se këto sjellje anti kombëtare po e dëmtojnë çdo ditë Kosovën.
“Sjellje të tilla janë vazhdim i një mendësie anti kombëtare e pro serbe që po e dëmton çdo ditë Kosovën; që punon kundër UÇK-së dhe bën argatin e Serbisë. Sepse Gashi u zëvendësua nga Veljkoviq në kabinetin kryeministror. Kërkim falja dhe shkarkimi i këshilltarit të radhës nuk mjaftojnë. Kjo qeveri duhet sa më parë të shkoj në shtëpi”./Telegrafi/