Çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb si mjet për pagesë, ka ngritur shqetësimin edhe të ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili u shpreh se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara. Lidhur me këtë deklaratë, është prononcuar deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra.
Deliu Kodra tha sot për Sinjalin se kjo deklaratë nuk ishte befasi, pasi siç thotë ajo, Qeveria Kurti me veprimet e saj ka dëmtuar raportet e Kosovës me shtetet mike.
Deputetja është shprehur se është e patolerueshme që një Qeveri të rrezikojë raportet me aleatët ndërkombëtarë.
“Fatkeqësisht, më duhet të them se edhe kjo deklarata nuk ishte befasi për ne, megjithëse ishte shumë e dhimbshme. Kjo Qeveri, përmes veprimeve të saj të papërgjegjshme për tri vjet me radhë, ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë raportet e Kosovës me shtetet mike – e posaçërisht ato me SHBA-në. Roli dhe kontributi i SHBA-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është i pazëvendësueshëm dhe populli ynë do t’i jetë përjetësisht mirënjohëse. Është e pabesueshme, e patolerueshme në të njëjtën kohë, që një Qeveri të rrezikoj këto raporte”, tha ajo.
Deliu Kodra duke komentuar deklaratën e O’Brien, tha se këto qortime nuk vijnë si rrjedhojë e një gabimi të Qeverisë së Kosovës, por si rezultat i një qëndrimi tashmë zyrtar qeveritar, që sipas saj, shkon kundër interesave të shtetit.
Ajo ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, duhet të shkojë në shtëpi sa më parë.
Sipas saj, Kosova nuk e ka luksin që të luajë me këto raporte.
“Tani, nëse Ndihmës-Sekretarit Amerikan i Shtetit, James O’Brien, është detyruar që publikisht të bëjë një deklaratë të tillë qortuese ndaj Qeverisë së Kosovës, paramendoni se sa shumë është dashur që ky Kryeministër dhe ky pushtet ta prishë punën. Pra, këto qortime nuk vijnë si rrjedhojë e një gabimi të Qeverisë së Kosovës, por si rezultat i një qëndrimi tashmë zyrtar qeveritar, që shkon kundër interesave të shtetit të Kosovës fillimisht, e pastaj edhe kundër raporteve me miqtë tanë. Prandaj ne themi që kjo Qeveri, një ditë e më parë, duhet të shkoj në shtëpi. Kosova nuk e ka luksin të luaj me këto raporte, të cilat janë ndërtuar me shumë mund. Përtej kësaj, sot, qytetarët e Kosovës jetojnë më keq se para tri viteve, derisa shteti ynë nuk ka bërë asnjë hap përpara në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, tha Deliu Kodra për Sinjalin.
Rregullorja e BQK-së – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj dhe kundërshtimit nga serbët e Kosovës.
Të hënën, BQK-ja njoftoi se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj do të zgjasë deri në tre muaj, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, por se ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.
Të hënën, serbët protestuan në Mitrovicë të Veriut kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa.
Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien ka thënë se me qëndrimin për çështjen e dinarit, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Unë nuk bëj kërcënime të vakëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë ai.
Ai ka shprehur shqetësimin e SHBA-së për zbatimin e vendimit, duke thënë se qytetarët serbë kanë mbetur të hutuar se si të paguajnë për bukën, qiranë dhe energjinë elektrike, pas përjashtimit të përdorimit të dinarit serb.
Sipas tij, kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin.
“Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”, ka thënë diplomati amerikan.
Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët do të mund të hapin llogari, pa pagesë, ku mund të bartin paratë e tyre në dinarë, të cilat më pas do të konvertohen në euro për të kryer pagesa.