Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga PDK, Blerta Deliu-Kodra, ka ngritur padi për shpifje ndaj Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkruan GazetaDemos.
Për padinë që i është ngritur, ka reaguar vet ministrja Haxhiu, e cila ka thënë se është paditur për të vërtetën që ka thënë.
“Ne do ta bëjmë publik raportin financiar i cili dëshmon që e njëjta ndonëse nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve te Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ishte paguar për këtë në mënyrë të paligjshme”, tha ajo.
Postimi i plotë i saj:
Për çfarë më paska paditur deputetja Blerta Deliu Kodra? Për të vërtetën? Shumë mirë.
Ne do ta bëjmë publik raportin financiar i cili dëshmon që e njëjta ndonëse nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve te Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ishte paguar për këtë në mënyrë të paligjshme.
Para disa javëve, për këtë e kam njoftuar me shkrim Kryetarin e Komisionit për Legjislacion dhe po ashtu kam folur publikisht.
Në fakt veprimi i duhur do të ishte kthimi i mjeteve që i ka përfituar paligjshëm.