Site icon PrishtinaPress

Delegati i Selisë së Shenjtë viziton BIK-un, biseda me Tërnavën kryesisht rreth harmonisë fetare

Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, nunci Jean Marie Speich, është duke vazhduar vizitën disaditore.

Ai këtë të shtunë është pritur në Bashkësinë Islame të Kosovës nga kryetari i saj Naim Tërnava, derisa ishte i shoqëruar nga Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Tërnava e ka njoftuar atë me punët dhe angazhimet e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, me theks të veçantë në kultivimin e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare.

“Si bashkësi fetare kemi një bashkëpunim të mirë me Kishën Katolike në Kosovë, dhe se ne jemi të gëzuar që vendi ynë ka një harmoni të tillë fetare, e cila është shembull për gjithë botën. Ne jemi vëllezër të një kombi, andaj duhet ta ruajmë dhe ta duam njëri-tjetrin, ngase kështu na porosisin mësimet tona fetare islame”, citohet të ketë thënë Tërnava, transmeton KlanKosova.tv.

Nga ana e tij, nunci Jean Marie Speich, ka çmuar lart kontributin e Myftiut dhe të BIK-ut për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, e cila është prezente në Kosovë.

Në fund të takimit, të dyja palët kanë bërë thirrje që në botë të pushojnë vatrat e konflikteve e luftërave dhe të mbretërojë paqja dhe harmonia ndërmjet njerëzve pa dallim feje apo race.

Exit mobile version