8.4 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Delegacioni i shteteve të fuqishme në Kosovë – Raci: Fillimi i negociatave për zgjidhjen politike Kosovës-Serbi

Vizita e përfaqësuesve politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, po konsiderohet nga analisti politik, Gazmir Raci si pikënisje e dialogut Kosovë-Serbi, dialogu i cili u pezullua për shkak të situatës së krijuar në veri.

Raci thotë se qëllimi i kësaj vizite pritet të jetë fillimi i negociatave për zgjidhjen politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në planin franko-gjerman. Ai thotë se kërkesë e Kosovës për t’u rikthyer në dialog ishte marrëveshja finale.

“Po në takimin e fundit në Bruksel për targat, palët janë pajtuar që do të rikthehen në tryezën e dialogut dhe do të flasin për propozimin franko-gjerman që tashmë e ka edhe miratimin e gjithë shteteve të Bashkimit Evropian. Është me rëndësi që Kosova e mori atë që e deshi nga ky proces sepse ishte kërkesa e Kosovës që urgjentisht të flitet për marrëveshjen finale dhe për propozimin konkret, në mënyrë që të ecet tutje dhe të arrihet konkretisht rezultati në këtë drejtim”, u shpreh Raci.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Raci thotë se Kosova duhet t’i marrë më seriozisht propozimet që vijnë nga Bashkësia Ndërkombëtare, teksa përmend edhe pasojat që po ndodhin shkaku i luftës në Ukrainë.

“Kosova duhet me marrë pjesë aktivisht në dialog dhe çfarëdo propozimi që vie nga komuniteti ndërkombëtar, duhet ta analizojë me seriozitetin më të madh edhe të ketë parasysh që zhvillimet gjeopolitike po e determinojnë edhe prezencën ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, e po ashtu edhe prezencën ruse, dhe është me rëndësi që Kosova së bashku me SHBA e Bashkimin Evropian të jenë të kyçur aktivisht që ta ndalojnë daljen edhe më të madhe të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, e që ta parandalojnë po ashtu eksportimin e mundshëm të ndonjë konflikti nga Ukraina në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.

Sa i përket propozimi franko-gjerman, sipas Racit përbën njohjen de-facto, ndërsa përmned edhe deklaratat e Gjermanisë që pa njohje de-jure nuk ka anëtarësim për Serbinë në Bashkimin Evropian.

“Propozimi franko-gjerman nëse ai që e kemi parë përmban njohjen dhe respektimin e integritetit territorial të njëra-tjetrës, për mua është çështja kryesore, sepse nëse Serbia pajtohet që t’ia njohë Kosovës kufijtë aktual me të cilët e ka shpallë Pavarësinë, atëherë në fazën nëpër të cilën po kalojmë, është korrekte por njohja de-jure do ta zgjidhte problemin përfundimisht, por natyrisht që Gjermania e ka bërë të qartë Serbisë që pa njohje edhe de-jure, nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, u shpreh Raci.

I dërguar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, së bashku me Emmanuel Bonnin, të dërguarin e presidentit francez dhe Jens Pletnerin, të dërguarin e kancelarit gjerman, pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin gjatë javës së ardhshme./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img