Deklarohet Mustafa, tregon cilët ministra po ndjekin agjenda partiake

80
Advertisement

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka zbuluar detaje lidhur me temat që kanë diskutuar në takimin e djeshëm me partnerët e koalicionit.

Advertisement

I pari i LDK-së tha se kanë vërejtje për numrin e zëvendësministrave në ekzekutiv, derisa shton se disa prej ministrave nuk janë duke u koordinuar me kryeministrin për veprimet që po ndërmarrin.

LDK-ja i është përgjigjur sot AAK-së lidhur me kërcënimet që do të largohen nga koalicioni, në rast se nuk e përkrahin Ramush Haradinaj për president.

I pari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, ka folur për rikonfigurim të Qeverisë, duke dhënë kritika edhe për shpenzim pa meritë të parasë publike. Sipas LDK-së, duhet një qeveri që do ta luftojë korrupsionin e do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike.

Ai thotë se kjo nuk iu adresohet specifikisht dy ministrave të AAK-së, ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, dhe ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj. Megjithatë, Mustafa thotë se nuk është i kënaqur me numrin e madh të zëvendësministrave.

“Nuk iu adresohet dy ministrave të AAK-së, sepse nuk e bëj unë vlerësimin e aktivitetit të tyre. Por, ka të bëjë më vlerësimin e çdonjërit se a punon për të arsyetuar paranë publike dhe specifikisht numrit të madh të zëvendësministrave”, deklaroi Mustafa.

Në takimin e djeshëm, sipas tij, janë dakorduar që të takohen kohë pas kohe, që të bisedojnë edhe çështjet tjera ku ka mospajtime.

“E kemi hapur këtë temë, jemi marrë vesh që të takohemi kohë pas kohe dhe t’i bisedojmë këto dhe çështjet e tjera”, thotë ai.

Mustafa ka kritika edhe për disa ministra të cilët nuk i përmend me emra. Sipas tij, disa ministra të Qeverisë Hoti nuk janë duke u koordinuar me të për veprimet që po i ndërmarrin.

“Do të diskutojmë edhe performancën e ministrave dhe koordinimin apo jo të disa prej tyre me kryeministrin, të disa veprimeve që po i ndërmarrin. Për të qenë e suksesshme, qeveria duhet të jetë një, unike”, ka përfunduar ai.

LDK-ja dhe AAK-ja janë duke i vazhduar përplasjet pas mosdakordimit lidhur me çështjen e dialogut dhe të presidentit. Kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ende nuk iu është përgjigjur paralajmërimit të sotëm të Mustafës.

PostAdssFotoja e reklamës