Besim Tahiri dhe Gëzim Osmani janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, përderisa Hajredin Hajra është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të marrëveshjes për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender.
Një deklarim të tillë, të akuzuarit e kanë dhënë të hënën në shqyrtimin gjyqësor, pasi më pëlqimin e palëve aktakuza u konstatua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, seanca ka vazhdua me dhënën e fjalës hyrëse.
Prokurori i prokurorisë speciale, Burim Qerikini, fjalën hyrëse e dorëzoi në formën e shkruar duke shtuar se provat të cilat e mbështesin këtë aktakuzë e vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.
Mbrojtësi i të akuzuarit Tahiri, avokat Adem Vokshi, në fjalën hyrëse deklaroi se me rastin e vlerësimit të provave është bërë vlerësimi i gabuar, sipas tij, në veprimet e të akuzuarit Tahiri nuk ekzistojnë elementet e veprës penale.
“Jam shumë i bindur se pas administrimit të provave dhe vlerësimit të hollësishëm dhe gjithanshëm nga ana e trupit gjykues do të argumentohet pafajësia e të akuzuarit Besim Tahiri”, tha avokati Vokshi.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Osmani, avokat Mentor Neziri, deklaroi se aktakuza e ngritur ndaj të mbrojturit të tij nuk ka mbështetje në provat, sipas tij ato prova nuk e vërtetojnë drejt gjendjen faktike të përshkruar në aktakuzë.
“Ne konsiderojmë që gjatë administrimit të provave gjatë shqyrtimit gjyqësorë pa dyshim që do të arsyetojmë të gjitha pretendimet tona lidhur me kundërshtimin e aktakuzës dhe sa i përket gjendjes faktike dhe kualifikimit ligjorë për të akuzuarin Gëzim Osmani”, tha avokati Neziri.
Avokati Alban Arifi, i cili në këtë rast e mbron të akuzuarin Hajra, në fjalën hyrëse deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësorë do të vërtetohet pa fajësia e të mbrojturit të tij, duke shtuar se i njëjti nuk ka kryer asnjë veprim inkriminues në drejtim të veprës penale e cila i vihet barrë.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi deklaroi se për seancën e sotme është paraparë të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve Arton Dautaj dhe Herolinde Dautaj.
Gjykatësi Krasniqi tha se për dëshmitaren Herloinde Dautaj në fletë kthesë ka rezultuar se adresa është e panjohur, ndërsa dëshmitari Arton Dautaj është ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën nuk e ka arsyetuar.
Në këto rrethana gjykatësi Krasniqi e ndërpreu seancën dhe atë të radhës e caktoi për 19 janar 2022.
Aktakuza ndaj Besim Tahirit, Gëzim Osmanit e Hajredin Hajrës është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 maj 2021.
Besim Tahiri akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore nga 13 maji 2016 deri 10 tetor 2017, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë zhvillimit të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Dislokomi i varrezave nga traseja e Autostradës R6 segmenti C2 dhe C3”.
Sipas aktakuzës, duke vepruar në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë, ku ishte përcaktuar afati i kontratës 1 vit ndërsa ka nënshkruar kontratën me afat prej 2 vite, pastaj ka lejuar tejkalimin e numrit të njësive nga 40 në 474 varreza dhe ka lejuar tejkalimin e kontratës nga 60,000.00 euro në 832,235.69, si dhe ka lidh aneks kontratën më 30 nëntor 2016 për këtë procedurë të prokurimit në emër të punëve shtesë, edhe pse ishte në kundërshtim me nenin 35, paragrafi 2.4.i LPP-ës, ku vlera e kësaj aneks kontratë është me vlerë shumëfishë më e lartë se që është e lejuar me Ligjin e Prokurimit Publik (neni 35, par 2.4), krejt kjo me qëllim për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 772.235.69 euro.
Me këtë, Tahiri akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Gëzim Osmani, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore 25 gusht 2016 e deri më 7 nëntor 2018, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, e ka keqpërdor pozitën zyrtar, në atë mënyrë që ka vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësit e tij të cilat ishin caktuar me vendimin me NR.Pro.35831 të 25 gusht 2016.
Në aktakuzë thuhet se Osmani, në cilësinë e menaxherit të projektit, ishte i obliguar që të sigurohej se operatori ekonomik i përmbushte të gjitha obligimet e performancës apo dërgesës në përputhje me termat dhe kushtet e kontratës, t’i dorëzojë raportet mbi progresin ose kompletimin e një kontrate siç kërkohet nga divizioni i prokurimit ose nga ZKA, të verifikoj sasitë e punëve të kryera, nënshkruaj ditarin e ndërtimit, librin e ndërtimit dhe situatat për pagesë.
Lidhur me këtë thuhet se i kishte shkaktuar dëm Ministrisë së Infrastrukturës dhe përfitime operatorit ekonomik “Eurokod”, me të cilin rast janë pranuar punët edhe pse nuk ishin zbatuar pozicionet e përcaktuara në kontratë, si dhe ka tejkaluar kompetencat e menaxherit të projektit duke kërkuar pozicione shtesë në emër të aneks kontratës, kurse pas nënshkrimit të aneks kontratës kishte lejuar që të bëhen hulumtime për varre në lokacione të cilat nuk ishin përcaktuar në kontratë, krejt kjo me qëllim për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 772,235.69 euro.
Me këtë, Osmani akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Hajredin Hajra akuzohet se në cilësinë e drejtorit të biznesit “Eurokod” SH.P.K., me qëllim të pranimit të ofertës nga autoriteti kontraktues për aktivitetin e prokurimit me titull të kontratës “Dislokimi i varrezave nga traseja e Autostradës R6, segmenti C 2 dhe C 3”, më 17 qershor 2016, në Prishtinë, në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë kishte dorëzuar ofertën në bazë të një marrëveshje të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se marrëveshja për themelimin e grupit të operatorëve ekonomik “Eurokod”, SH.P.K dhe “Engenieering Group” SH.P.K, ishte bërë që të plotësohen kriteret formale, më saktë të përdorej referenca e “Engenieering Group”, kurse në zbatim të kontratës ishte përjashtuar operatori ekonomik “Engenieering Group” nga i pandehuri, me të cilin rast nuk e kishte lejuar të marrë pjesë në implementim të kontratës me numër MI/16/071/221, të 20 korrik 2016, me qëllim që vetës t’i sjell dobi pasurore.
Me këtë, Hajra akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrëveshjet për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender” nga neni 309, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kryesi i së cilës dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi