Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti ka komentuar deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili ka thënë që se Kosova është e ftuar që të jap komentet dhe sugjerimet për draftin që është në tryezë.
Hamiti tha se nëse zbatohet, ky dokument krijon autonomi politike-territoriale serbe në Kosovë dhe jo thjeshtë Asociacion të Komunave.
“Mos e harroni Draft-Statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që e ka hartuar BE-ja, i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe kjo e ka pranuar. “Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin që është në tryezë”, ka thënë sot zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Nëse zbatohet, ky dokument krijon autonomi politike-territoriale serbe në Kosovë – jo thjesht Asociacion komunash – në kundërshtim me rendin aktual kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Hamiti.
Bashkimi Evropian thotë se Kosova në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rastin të paraqesë një draft-propozim për formimin e Asociacionit.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, pritet që Prishtina zyrtare të ndërmarrë hapa konkretë.
“Në këtë fazë të avancuar të procesit, pritet që së shpejti të fillojë me themelimin e Asociacionit së komunave me shumicë serbe. Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin që është në tryezë”, ka thënë Stano për REL.