Site icon PrishtinaPress

Deklaratat e Konjufcës për Asociacionin, partitë opozitare kritikojnë qasjen e pushtetit për ndryshim të mendimeve

Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca tha të hënën se hartimi i një projekt statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është kompetencë e Bashkimit Evropian ndërsa kritikoi bllokun për qasje jo të drejtë dhe diskriminuese ndaj Kosovës.

“Kështu që me ja imponu Kosovës në këtë mënyrë, me than ky është dokumenti edhe vetëm ky 20 faqesh dhe nuk ka tjetër dhe vetëm ky duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, unë mendoj jo që nuk është fer ndaj Kosovës por mendoj që është një qasje shumë diskriminuese e Bashkimit Evropian i cili Kosovën e trajton si një joshtet”, tha Konjufca.

Tetorin e vitit të kaluar zyrtarët më të lartë evropianë i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe i dorëzuan një projekt statut për të, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës, sipas marrëveshjes së arritur mes palëve në Bruksel dhe në Ohër.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në atë kohë tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin për Asociacionin i cili parasheh që Gjykata Kushtetuese të jap vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe sipas tij është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës kushtetuese të vendit.

Por, që nga ajo kohë nuk ka pasur lëvizje ndërsa Kosova dhe Serbia kanë akuzuar njëra tjetrën për mospërmbushje të marrëveshjes.

Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha javën e kaluar pas një vizite në Prishtinë dhe Beograd se pret nga Kosova që ta dërgojë projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksoi se ky mekanizëm nuk krijon një qeverisje apo një shtresë tjetër të pushtetit.

Konjufca tha se Kosova e ka pranuar projekt statutin për shqyrtim ndërsa theksoi se do të ngulë këmbë për të drejtën e saj që të propozojë vet një projekt statut për Asociacionin.

“Nuk mundet Bashkimi Evropian të të vendos para aktit të kryer, duke thënë këtë e kemi shkruar ne dhe këtë shpalle e dërgoje sepse ky është versioni i Kosovës. Nuk është ky versioni i Kosovës, ai është versioni i BE-së. Versioni i BE-së mund jetë konsultativ të cilin ne e marrim, në të cilën ne mund ta marrim klauzola të caktuara që janë për neve të arsyeshme por jo me thanë se ky është 100 për qind dhe nuk mundesh as një për qind me ndryshu sepse atëherë i bjen merre ose leje kjo praktikë. Unë jam kundër kësaj dhe do ta quaja këtë qasje diskriminuese të BE-së dhe mohim të shtetësisë së Kosovës”, tha Konjufca.

Partitë opozitare kritikuan ndërkaq qasjen e pushtetit dhe për ndryshim të mendimeve kundruall propozimit të Bashkimit Evropian për themelimin e Asociacionit.

“Nëse Konjufca do të thoshte kjo është e papranueshme, nuk pranoj me komentu fare draftin a është në përputhje apo jo me Kushtetutën, se nuk mundet me ju imponu shtetit të Kosovës një dokument i tillë por në atë kohë ka folur me terma afirmativ dhe e ka quajtur dokument të rëndësishëm dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe sot e pamë Glaukun tjetër. Pra këta janë joserioz dhe nuk janë qëndrime të një burrështetasi me qëndrime shtetërore, kjo është një situatë e mjerueshme”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

“Kosova duhet t’i zbatojë obligimet e veta por duhet t’i zbatojë duke garantuar që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ose opinioni i saj mbi parimet për statutin të zbatohet, duke ruajtur integritetin territorial të Kosovës dhe duke ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Pra ne i kemi tregu kriteret dhe e kemi këshillu se si me zgjidh çështjen”, tha shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se marrëveshja për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar është ligjërisht e detyrueshme. Sipas tyre normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është në qendër të angazhimit evropian rreth Ballkanit Perëndimor dhe se përparimi në zbatimin e marrëveshjes është i lidhur ngushtë me përparimin e të dyja palëve në proceset integruese./VOA/

Exit mobile version