Site icon PrishtinaPress

Deklarata për të pagjeturit, lirimi i të akuzuarit në rastin Pajazitaj dhe “pagat” në Gjykatën Kushtetuese – top lajmet e javës

Java që po lëmë pas ishte plot me ngjarje të rëndësishme, duke filluar nga marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për deklaratën për të pagjeturit.

Po ashtu gjatë javës që po lëmë pas lirimit të të akuzuarit Naser Pajazitaj, për vrasjen e Donjeta Pajazitaj ka ngjallur reagime të shumta në vend.

Ndërkaq, të premten e 7 prillit, Avokati i Popullit pas 104 ankesave të pranuara për Ligjin e pagave, të njëjtin e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutë të Ligjit të kontestuar.

Kosova dhe Serbia pajtohen për deklaratën rreth çështjes së të pagjeturve

Kosova dhe Serbia janë marr vesh për deklaratën rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një postim në Twitter.

Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur është arrit në takimin e kryenegociatorëve.

“Serbia dhe Kosova janë zotuar me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin. Bashkimi Evropian pret që të dyja të respektojnë të gjitha obligimet dhe të fillojnë zbatimi sa më shpejt. Palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim të mundshëm…”, tha ai.

“Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë…”, shkruan ai në Twitter.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi në një paraqitje para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme dha detaje lidhur me takimin e 4 prillit në Bruksel, gjersa theksoi se pala kosovare dhe ajo serbe janë dakorduar për deklaratën për të pagjeturit dhe se e njëjta pritet të aprovohet në takimin e radhës ndërmjet dy liderëve.

“Pika e katërt që është diskutuar ka të bëjë me dakordimin e palëve për personat e zhdukur me dhunë. Teksti aprovohet dhe publikohet nga liderët në takimin e radhës”, tha zëvendëskryeministri.

Ai bëri të ditur se kanë pasur vetëm një vërejtje në tekst dhe e njëjta është pranuar.

Lirimi i të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitit, deklarata e vëllait të saj dhe reagimet tjera

Kolegji penal i Gjykatës Supreme të enjten ka marr vendim që ta lirojë nga akuza për vrasje Naser Pajazitajn, i cili ishte dënuar me 35 vjet burgim për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Lajmin për Telegrafin e kishte konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Antigona Uka-Lutfiu.

“Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”, ka thënë Uka-Lutfiu.

E pas këtij vendimi të Gjykatës Supreme ka reaguar Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i së ndjerës.

Vëllai i Donjetës u shpreh se më nuk kanë besim as në Polici, Gjykata e Prokurori, pasi siç shkroi ai, që shtatë vjet nuk kanë qenë në gjendje ta ndriçojnë rastin.

E në një prononcim ai ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme ishte i papritur dhe i padrejtë.

Ai tha se janë duke pritur vendimin kur ta marrin nga gjykata, dhe siç tha Pajazitaj rastin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne e kemi kuptu vendimin prej mediave, as nuk kemi vendim nga gjykata, as kurrgjë. Ishte një vendim shumë i papritur. Nuk e di se si gjykata nuk i ka vlerësu të gjitha ato fakte. P.sh. pse kur e ka pa herën e parë që ka kalu në Supreme, nëse ka pas diçka shkelje esenciale ose diçka, pse nuk e ka marrë këtë vendim, por e ktheu në rigjykim e veç me na maltretu. Nëse ka pa që diçka nuk është në rregull, kanë mujt herën e parë me marrë këtë vendim dhe me marr fund, e jo me na maltretu”, ka thënë Pajazitaj.

Ligji i pagave përfundon në Gjykatën Kushtetuese

Avokati i Popullit të premten e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për paga pasi ka pranuar 104 ankesa që kontestojnë disa nene të këtij ligji me kërkesën për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën.

Në komunikatën e lëshuar nga ky institucion thuhet se ankesat e pranuara kryesisht kanë të bëjnë me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj.

Ankesat e pranuara janë parashtruar nga subjekte të sektorit publik, si ankesa grupore, individualisht si dhe nëpërmjet sindikatave.

Më tej thuhet se “më 5 shkurt 2023, pas një procesi, i cili, sipas Avokatit të Popullit, nuk ka qenë një proces transparent, i përgjegjshëm dhe as demokratik, Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi. Për më tepër, Avokati i Popullit vlerëson se ky ligj nuk e bart frymën e Aktgjykimit KO219/19, në kuptimin e parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, në kuptimin e sundimit të ligjit, në veçanti parimin e barazisë para ligjit, si dhe në kuptimin e mbrojtjes të së drejtës së pronës të subjekteve në sektorin publik”.

Avokati i Popullit vlerëson se Ligji i kontestuar në përgjithësi ka krijuar një situatë divergjente, ku të gjithë të punësuarit nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë as me rastin e uljes dhe as me rastin e ngritjes së pagave.

Exit mobile version