Kryetar i Komisionit Qeveritar të Personave të Zhdukur të Kosovës, Andin Hoti, ka komentuar Deklaratën e Personave të Zhdukur të dakorduar në Bruksel.
Ai thotë se ky është një hap i rëndësishëm në këtë proces, që natyrisht është jo valid nëse nuk fillon edhe implementi i saj.
Tutje ai thotë se Serbia nuk është shfajësuar për asgjë, por është fajësuar për krime ndaj popullit të Kosovës.
Hoti thekson se nuk është larguar termi “personat e zhdukur me forcë” dhe se ndodhet në deklaratë.
“Natyrisht, unë mendoj që secila Qeveri në Kosovë ka bërë më të mirën e mundshme në raport me personat e zhdukur, por ne duke shfryrë mllef ndaj njëri tjetrit, po harrojmë që adresa për këto zhdukje, dhe fajtori i vetëm për këto krime është: SERBIA!
I pakuptueshëm fakti që në asnjë pikë të vetmë, as kur bëhet fjalë për çështjen më të ndjeshme në vend, spektri politik dhe medial në Kosovë nuk e ka as tendencën më të vogel të krijimit të unitetit të saj. Pse gjithë kjo urrejtje patetike?”, shkruan tutje ai në reagim.
Reagimi i plotë:
Përshkak të bombardimit të pamëshirshëm të opinionit publik dhe në veçanti të familjarëve të personave të zhdukur, ashtu siç e kam cekur mbrëmë në postim në rrjetet sociale, dhe pothuajse në të gjitha mediat në Kosovë, më lejoni të përsëris edhe njëherë dhe uroj që të përgjigjem në të gjitha pyetjet/shqetësimet e secilit akter në Kosovë:
– Dje është miratuar Deklarata për persona të zhdukur nga Kryeministri i Republikës së Kosoves z. Kurti, dhe nga z. Vuçiq.
– Deklarata e miratuar ka një qëllim kryesor: Zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta në Kosovë.
– Për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave përfshirë edhe dokumentat e klasifikuara, mbi vendndodhjen e personave të zhdukur.
– Për herë të parë, është arritur të përfshihet termi “të zhdukur me forcë”, që është tregues i qartë për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë, dhe nga sot, nuk ka më vetëm persona të zhdukur, por edhe persona të zhdukur me forcë nga shteti Serb në Kosovë.
– Deklarata e miratuar, është dokumenti i parë zyrtar në të cilen Serbia pranon krimet shtetërore ndaj popullit të Kosoves:
1. Ju lutem referojuni Konventës Ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me forcë, të OKB-së;
2. Ju lutem referojuni Gjykates Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në të gjeni termin identik të njejtë me termin e përdorur në Deklaratë;
3. Ju lutem shfletoni internetin dhe gjeni shembuj të shteteve tjera që kanë përdorur termin e njejtë me deklaraten tonë;
– Tashmë kemi një dokument zyrtar ku theksohet urgjenca e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur.
– Tashmë kemi nje dokument zyrtar ku theksohet nevoja për bashkëpunim dhe mos bllokim në gërmime në lokacione të dyshuara për varreza massive.
– Tashmë kemi nje dokument zyrtar në të cilen theksohet që Bashkimi Evropian përmes Komisionit të përbashkët do të involvohet direkt ne zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur.
– Tashmë kemi një dokument zyrtar ku theksohet qe duhët të adresohen nevojat dhe të drejtat e familjeve të personave të zhdukur.
Prandaj, ky është një hap i rëndësishëm në këtë proces, që natyrisht është jo valid nëse nuk fillon edhe implementi i saj. Por për këtë, ne vazhdojmë të kemi nevoj për ndihmen konkrete të miqve tanë ndërkombëtar SHBA dhe BE, që të ushtrojnë trysninë e nevojshme ndaj Serbisë.
Mbetet edhe shumë punë dhe përpjekje për tu bërë që të arrijmë qëllimin tonë kryesor, prandaj ne do të vazhdojmë përpjekjet tona deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur me forcë në Kosovë.
Po e shoh të nevojshme, sidomos pas konfuzitetit që po krijohet përmes mediave nga akter të ndryshëm, për herë të fundit, të përgjigjëm në disa reagime:
– JO, nuk është shfajësuar Serbia për asgjë, por është fajësuar për krime ndaj popullit të Kosoves. Për më tepër, me indinjon fakti që disa individë flasin sikurse ne kemi qenë në ndonjë proces gjyqësor me Serbinë, dhe e kemi akuzuar e paditur aq shumë, saqë tash kinse kjo deklaratë e paska liruar Serbinë nga këto akuza. Sinçerisht, nuk e di çfarë paftyrësie duhet të kenë njerëzit dhe të bëjnë akuza të tilla? NE NUK KEMI QENË ASKUND! Ne kemi qenë në pikën 0. As një akuzë të vetmë ndaj Serbisë për të zhdukurit, asnjë dokument të vetëm që e bënë Serbinë fajtore për këto zhdukje deri më sot!
– JO dhe JO, nuk është bërë asnjë barazim i asnjërës palë! E habitshme në fakt kjo të thuhet nga individë që kanë ndikim të gjërë! Ku është barazuar? Kur? Si mund të barazohet diçka e pamundur? Si mund të barazohet një viktim me një kriminel? Cili dokument në botë mund të trilloj krime inekzistente? Ju po i referoheni kinse paragrafit “palet pajtohen të ofrojnë të gjitha dokumentacionet në posedim të dy shteteve për të zbardhur fatin e përsonave të zhdukur”, ju lutem më njoftoni se në cilat institucione shtetërore Kosova ka ndonjë dokument që na orienton te zbardhja e fatit të personave të zhdukur? Nuk e di pse para se të deklaroheni publikisht nuk mendoni së pari! Kosova nuk ka qenë shtet në kohën e luftës. Dhe si rrjedhojë, Kosova NUK ka asnjë dokument të luftës për këto krime në posedim të institucioneve të saj. Shumë shpejtë keni harruar, që prej vitit 1999 në Kosovë kanë qenë mbi 100 organizata ndërkombëtare, mbi 100 agjenci të shërbimeve sekrete ndërkombëtare, UNMIK, Tribunali i Hages, EULEX, GJND, etj. etj. etj. etj. madje disa nga këto edhe i kanë formuar institucionet e Kosoves (ne kemi ende rregullore në fuqi prej kohës së UNMIK), e ju sot po thoni që të gjitha këto i paskan tejkaluar “dokumentet” e shpikuara nga ju për luften në Kosovë, dhe tash po frikësoheni se Kosova paska ndonjë dokument të tillë! Në fakt, nuk e kuptoj as pse frikësoheni? Po ua rikujtoj: Në Kosovë ka ndodh një luftë në mes të një shteti të organizuar me Ushtri dhe Polici, drejtuar një populli të pafajshëm që mbronte atdheun e vet. Rrjedhimisht, çdo lloj krimi që ka ndodhur në Kosovë, është bërë nga Shteti Serb me strukturat e saj të organizuara shtetërore dhe nga askush tjetër. Çdo krim tjetër që mund të jetë bërë si rezultat i veprimeve individuale, ndiqen sipas të drejtës penale të asaj kohe (UNMIK).
– JO, nuk është larguar termi ‘personat e zhdukur me forcë’, e keni në deklaratë veç lexojeni. Për më tepër, edhe për këtë pikë, disa individë flasin sikurse ky term paska ekzistuar dikund këto 24 vite me anë të së ciles Kosova e paska dërrmuar Serbinë nga paditë për krime, dhe ne e paskemi larguar. Ku ka qenë? Kur ka qenë? Të turpshme dhe të pafalshme këto akuza pa bazë.
Për fund, janë fiks 20 muaj në pyetje prëj kur Kosova dhe Serbia takohet në Bruksel për deklaraten e personave të zhdukur, janë fiks 20 muaj prej kur unë kam dhënë kontributin tim aktiv në Bruksel, dhe gati çdo herë kam qenë në media dhe iu kam informuar për këtë deklaratë, a e dini që asnjë individ në Kosovë (që sot hedh vnerë në media), asnjë i vetëm, asnjë subjekt, asnjë njohës i kësaj qështje, nuk më ka kontaktuar për të dhënë opinionin/ndihmen e tyre mbi këtë qështje, dhe priten fiks 20 muaj që të lëshojnë akuza ta pabaza! E dhimbshme dhe jo etike.
Natyrisht, unë mendoj që secila Qeveri në Kosovë ka bërë më të mirën e mundshme në raport me personat e zhdukur, por ne duke shfryrë mllef ndaj njëri tjetrit, po harrojmë që adresa për këto zhdukje, dhe fajtori i vetëm për këto krime është: SERBIA!
I pakuptueshëm fakti që në asnjë pikë të vetmë, as kur bëhet fjalë për çështjen më të ndjeshme në vend, spektri politik dhe medial në Kosovë nuk e ka as tendencën më të vogel të krijimit të unitetit të saj. Pse gjithë kjo urrejtje patetike?
Dhe për më tepër, juve që tentoni paturpësisht të përdorni këto krime për interesa ditore, siç duket po harroni që mbi korrizin tim dhe të familjes sime ne i kemi përjetuar për së afërmi të gjitha këto krime dhe vazhdojmë ti përjetojmë edhe sot.
Juaji,
Andin Hoti