Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për deklaratën rreth statusit të gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut.
Ai ka vlerësuar se një gjë e tillë është shumë e dëmshme.
Në profilin e tij në “Facebook”, Sela ka shkruar se uron të jetë një lajthitje momenti.
“Më ka ngel thellë në kujtesë periudha e diferencimeve politike të pasviteve 1981. Është gati e pashlyeshme në mbamendjen time prej femije të askohe-kryefjala e lajmeve që niste me, nacionalizmin, shovenizmin, iredentizmin, separatizmin shqiptar! Shumë shëmtuar dukej kur thuhej shqip dhe për shqiptarët nga elita politike komuniste shqiptare.
Është më se e qartë se ky zhargon politik kontrollohej nga një qendër që per qëllim kishte satanizimin e viktimës, fillimisht spastrimin institucional të shqiptarëve e me pas edhe etnik të tyre. Sot mu rikthye kjo ndjesi e keqe e shumë viteve më parë pa asnjë ndryshim në formë dhe paraqitje! Shqip u godit gjuha shqipe dhe perpjekja për barazi të saj me gjuhën maqedone në Maqedoninë e Veriut. Uroj të jetë një lajthitje momenti…”, ka shkruar Sela.