Site icon PrishtinaPress

Deklarata kundërthënëse të Haradinajt për Demarkacionin dhe liberalizimin e vizave

Në kohën kur demarkacioni mund të bëhet “mollë sherri” për qeverinë Haradinaj, ky i fundit shpesh ka befasuar me deklaratat e tij. Herë thotë që çështja e demarkacionit do të marrë epilog, e herë se versioni aktual do të rrëzohet në Kuvend. Në anën tjetër vazhdon të premtojë se vizat do të liberalizohen shumë shpejtë.

E këto qëndrime të Haradinajt, po cilësohen si kundërthënëse me njëra-tjetrën.

Analisti politik Imer Mushkolaj thotë për lajmi.net se deklaratat e tilla kanë filluar qysh në kohën kur Haradinaj kishte premtuar heqjen e vizave për tre muaj.

“Deklaratat e tilla janë kundërthënëse. Kundërthënës kryeministri ka qenë qysh kur ka premtuar se vizat do të hiqen brenda tre muajve, edhe kjo nuk ka ndodhë. Kështu që nuk mundesh me thanë që kjo formë e demarkacionit nuk kalon, e ndërkohë të premtosh se do të liberalizohen vizat”, ka thënë Mushkolaj.

“Mendoj jo të paktën për një periudhë të shkurtë. Ai mund të ketë në mendjen e tij perceptime ose projektime për të ardhmen, por ne po flasim për një situatë jashtëzakonisht emergjente, ku çështja e liberalizimit të vizave është direkt e lidhur me demarkacionin”, thotë tutje analisti politik.

Sipas Mushkolajt,  kryeministrit Haradinaj në vend të deklaratave të tilla duhet të provojë të gjejë zgjidhje.

Ai Thotë se qytetarëve duhet të tregohet se cila është e vërteta me veprime konkrete.

“Sa shpenzon energji duke insistuar në diçka që e dijmë edhe e ka kthy në kauzë me të cilën edhe u zgjodh në kryeministër, është më mirë të provojë të gjejë zgjidhje, pra të provojë që njerëzve tua sqarojë se cila është e vërteta me veprime konkrete”, ka deklaruar Mushkolaj për lajmi.net

Sipas tij kjo periudhë është emergjente, dhe demarkacioni do të duhej të zgjidhej para publikimit të Strategjisë së zgjerimit të BE-së.

“Qytetarët kërkojnë të dijnë se çka do të ndodhë më pas. Sa do të zgjasë rinegociimi eventual, kur do të bëhet liberalizimi i vizave e kështu me radhë. Është më mirë që Haradinaj të shpenzojë energji në veprime konkrete se sit ë dilet nga kjo situatë, sesa të në ripërsëris qëndrimet që tashmë i kemi të ditura”, ka përfunduar Imer Mushkolaj.

Ndryshe, sipas informacioneve demarkacioni do të jetë nesër në kryesinë e Kuvendit ku do të procedohet tutje për në Kuvend.

Një ditë më pas, pra të martën kryeministri malazez do ta vizitojë Kosovën, ku diskutimi për shenjëzimin e kufirit do të jetë i pashmangshëm.

Dushko Markoviq, shef i qeverisës malazeze tha dje se demarkacioni për Malin e Zi është punë e kryer, duke hedhur poshtë edhe mundësinë e arbitrazhit.

Exit mobile version