Site icon PrishtinaPress

Deklarata e Samitit BE-Ballkan Perëndimor fton për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit

Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor u takuan sot në Bruksel në një samit ku, përmes një deklarate përfundimtare, u pajtuan për përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe ku vendeve të rajonit iu kërkua t’i zgjidhin mospajtimet.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Ne rikonfirmojmë edhe një herë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet”, thuhet në deklaratë.

BE-ja mirëpret vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar dhe për t’u përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimin e ritheksuar ndaj përparësisë së demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, thuhet tutje në deklaratë.

Duke folur pas samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha se komisioni do të vazhdojë me integrimin gradual të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Duke folur pas mbërritjes të mërkurën në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kritikoi Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.

Osmani tha se “duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare që Kosova vazhdimisht të dënohet”.

Por, Ursula von der Leyen tha se BE-ja e mbështet edhe Kosovën, përfshirë edhe heqjen e masave dhe nisjen e procedurave për dhënien e statusit të kandidatit, por për këtë duhet tejkaluar problemet që ekzistojnë “për shkak se vendimet në BE merren me konsensus”.

“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me një qëndrim. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati. E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet pajtueshmëri nga vendet anëtare, të cilën tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim sepse, gjithsesi, është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë“, tha von der Leyen.

Vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor iu kërkua që të zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete sikur edhe me fqinjët në BE, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.

Në veçanti, Kosovës dhe Serbisë i është kërkuar që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke i përmbushur detyrimet që dalin nga dialogu, të cilin e lehtëson BE-ja.

“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po i pengon të dy partnerët. Marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Shtojca e saj. BE-ja rikujton se një parakusht për mbështetjen në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor është që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në pikën e 13-të të deklaratës.

Të pranishëm në samit nga Ballkani ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq.

Pos shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së, në takim morën pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonia Costa, si organizator i takimit, pastaj presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Exit mobile version