Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar pjesërisht ankesën e Lidhjes Demorkatike të Kosovës, duke dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me tre mijë euro për shkak të shkeljes së Mirësjelljes për Subjektet Politike.
Në vendimin e publikuar, fillimisht thuhet:
“I. Pranohet pjesërisht e bazuar ankesa e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me seli në Prishtinë, Anr.30/2025 e datës 14.01.2025, ashtu që subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, i shqiptohet dënimi më gjobë në lartësi prej 3,000.00 (tremijë) euro.
II. Detyrohet Subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, që gjobën e shqiptuar si në pikën -I-, të dispozitivit të këtij vendimi, ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi”.
PZAP e ka arsyetuar këtë vendim duke thënë se në tubimin në qytetin e Pejës para tre ditësh, kryeministri Albin Kuti ka bërë shkelje të rëndë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, më konkretisht, nenit 34, paragrafit 1, nënparagrafit 1.11.
“Me datë 14.01.2025 PZAP-i, ka pranuar një ankesë nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me të cilën pretendon se në qytetin e Pejës me datë 13.01.2024 në ora 18:00 në tubimin politik të subjektit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryetari i kësaj partie Albin Kurti dhe kryeministri aktual gjatë fjalimit të tij ka bërë shkelje të rëndë të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, respektivisht nenit 34, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11, i cili shprehimisht thotë “përdorimi i gjuhës, në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon, ose që mund të nxisë ose provokojë, një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdo materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë”.
“Parashtruesi i ankesës ka prezantuar në ankesë tekstin origjinal nga Video 1: “Nuk ka sesi të mos çuditemi kur dëgjojmë nga udhëheqja e LDK-së se Policia e Kosovës, Kryeministri i Republikës, institucionet e shtetit tonë na qenkan si Serbia e Millosheviqit (krahasim i tmerrshëm, fyerje e shpifje klasike, vrer e mllef i papërmbajtshëm, e pavërtetë e madhe dhe tentim nxitje për rënie në grackën e tij provokuese)”.
Tutje, përmendet edhe deklarata e Kurtit mes tjerash LDK-së e PDK-së u drejtohet si “LËDËKYHI E PËDËKYHI”.
“Por këtu (mendon për Komunën e Pejës) “siç e dini edhe ju vet LËDËKYHI (term pezhorativ, dhe PËDËKYHI janë në koalicion”
Parashtruesi i ankesës i citon thëniet ne vazhdim: Prandaj, kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LËDËKYHIT që thotë se po i pëlqen populli, populli ka simpati për ta, kjo mu (flet për veten Kurti) mi përngjan asaj mizës (krahasim fyes, bullizues, nxitës e provokuese) që thoshte kudo që po shkoj po më presin me duartrokitje (ironizon me gjestikulacion dhe shprehje të çuditshme dhe të pakontrolluara të fytyrës)”. Tutje parashtruesi i ankesës thekson se pra, kur ata thojn që populli po i pëlqen ata është si ajo miza që lëvdohej që njerëzit po e presin me duartrokitje e ju e dini shumë mirë që me ato duar që duartrokasin çfarë janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize “(aludon në një krahasim të rëndë që tejkalon metaforën e kthehet në gjuhë provokuese të urrejtjes ndaj tjetrit-në këtë rast ndaj udhëheqësit të LDK-së)”.
“Më tutje në ankesë parashtruesi i ankesës thekson tekstin origjinal nga Video 2, “e keqja është strukturë e dobësuar (aludon në kundërshtarët e tij politik) dhe gjithnjë më e dobët, Më 9 shkurt sivjet me 500 mijë zemra (këtu përfshin dhe përdor popullin si mjet për të nxitur, provokuar dhe paraçitur urrejtje) kësaj të keqe strukturë ia japim goditjen vdekjeprurëse. (gjuhë nxitëse dhe e urrejtjes, provokim, madje edhe kërcënim serioz).
Më tej në ankesë ka theksuar edhe tekstin origjinal nga Video 3, në faqen e rrjetit social, Albini për Kryeministër, me titullin e videos “T’U E PJEKE OPOZITEN” me tekstin me thurrje #albinkurti # cepmecep #kurti3 është kësisoj: dëgjohen të qeshura fillimisht…pastaj thuhet- qashtu e pjek edhe opozitën, ndërkohë dëgjohet duke qeshur vetë kryeministri Kurti dhe stafi i një biznesi në qytetin e Pejës (pra i njëjti e aprovon këtë gjuhë të urrejtje, denigruese, fyese e përçuese ndaj opozitës në këtë rast), pastaj thuhet-tamon katër, veç katër parti lej qaty, katër a pesë-pesë edhe ka një çerek qitja qaty” – thuhet tutje.