Ndërtimi i vilave dhe i objekteve të tjera, shpesh pa leje apo në kundërshtim me ligjin, ka bërë që të degradohet natyra në Brezovicë, qendrën më të madhe të turizmit dimëror në Kosovë, në Komunën e Shtërpcës.
Të martën e 21 dhjetorit, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, është arrestuar mbi dyshimet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lëshim të kundërligjshëm të lejeve të ndërtimit në Brezovicë, e cila bën pjesë në Parkun Kombëtar të Sharrit.
Sharri është parku i parë kombëtar i shpallur në Kosovë, në vitin 1986. Menaxhohet në bazë të Ligjit për Parkun Kombëtar Sharri, dhe të disa ligjeve mbështetëse, që kanë të bëjnë me mjedisin, natyrën dhe pyjet.
Ju sjellim disa fotografi nga Brezovica, të bëra me dron, gjatë këtij viti, të cilat shfaqin shkatërrimin e natyrës:
Prokuroria Themelore e Ferizajt dyshon se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Nikoliq dhe nëntë persona të tjerë u arrestuan të martën nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, bënë të ditur autoritetet në Kosovë.
Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, gjatë një konference për media, tha se Nikoliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë villa, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e villave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit, ku gjendet edhe Brezovica.
“Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro. Dyshohet se janë disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve”, tha Maloku.
Sipas Malokut, shumica e ndërtesave të ndërtuara janë ndërtuar kundërligjshëm.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se autoritetet do të sekuestrojnë përkohësisht të gjitha pronat, përfshirë edhe villat, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje.
Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.
Në krye të komunës, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe. Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ndaj arrestimeve reagoi Lista Serbe, e cila tha se e dënon “përdorimin e tepruar të forcës” dhe “aksionin brutal” që u krye në Komunën e Shtërpcës.
Lidhur me arrestimet në Kosovë ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.
Vuçiq tha se Prishtina “ka thënë që në fillim se kriminelët jetojnë në veri të Kosovës”, por shtoi se tani “duket se ka disa [edhe] në jug… Unë thjesht nuk e di se si ata [zyrtarët në Kosovë] nuk gjetën kriminelë më të rëndë gjatë rrugës, i gjejnë vetëm në mesin e serbëve”.
Pos Nikoliqit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, arrestoi edhe rreth dhjetë persona në Shtërpcë, mes të cilëve drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj. Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare. /rel/