Ish-ambasadori, Gjergj Dedaj, është duke e vazhduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë e ka vazhduar dëshminë Gjergj Dedaj, i cili është dëshmitari i 33-të (me kodin Ë03825) në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Këtë të martë, Dedaj, u ankua përsëri se nuk i është plotësuar kërkesa e tij që seanca të mbahet e mbyllur. Ai tha se për shkak se seanca është e hapur atij mund t’i rrezikohet familja e tij.
“Me vetë ftesën që ma keni bërë, ka qenë padrejtësi ndaj meje… Kam të drejtë të protestoj, jam përgjegjës për vete, për familjen e fëmijëve të mi. Kam kërku gjatë bisedave që seanca të jetë e mbyllur të mos më rrezikohet familja dhe a ardhmja në Kosovë, nëse qëllimi është të nxjerrën cka ju dëshironi, të hapni plagë të reja është tjetër gjë”, tha ai.
Dedaj foli edhe për UÇK-në, duke thënë se po të kishte mundësi do t’u ipte atyre armë bërthamore.
“Unë me pas mujt UÇK-së i kisha dhënë armë bërthamore, sepse serbët kanë vra fëmijë, gra e invalidë”, tha ai.
Dedaj tha se gjatë vizitës së tij dhe delegacionit prej afërisht 40 personash, UÇK-ja ka pasur të drejt të dyshonte.
“UÇK ka pasur të drejt me dyshu, se dikush në grupin prej 40 veta të ketë diçka, unë marrë përgjegjësi vetëm për vete”, tha ai.