Site icon PrishtinaPress

Dedaj, i pakënaqur me trajtimin nga Behgjet Pacolli

Edhe pse është pjesë e secilës qeveri në postin e zv/ministrit, Gjergj Dedaj kurrë nuk bëhet rehat.

Në një letër plot gabime, që ua ka drejtuar krerëve institucionalë muajin e kaluar, Dedaj ankohet për trajtimin e tij në Ministrinë e Jashtme, të udhëhequr nga Behgjet Pacolli.

Në letrën e siguruar nga KTV-ja, Dedaj iu kërkon falje krerëve shtetërorë që po iu merr kohë e pastaj nis ankesat.

“Më lejoni t’ju marr pak kohë të çmuar, në këtë kohë pa kohë, nëpër të cilën po kalon Kosova, me shpresë dhe optimizëm, që do t’ia dalim, sikurse edhe herëve tjera, në momente të vështira dhe vendimtare. Me siguri se do t’ia dalim nëse do të kemi kurajë, dinjitet dhe mirëkuptim ndërinstitucional dhe ndërpartiak në Kosovë”, shkruan fillimisht Dedaj.

“Ndonëse kam insistuar, nuk kam zyrë personale. Kam një zyre, të cilën e ndaj pa dëshirën time me asistenten, pa televizor dhe mjete të tjera për punë normale, pa një komunikim me ministrin Pacolli, të cilit disa herë i kam shkruar për takim dhe asnjëherë nuk më është përgjigjur, gjë e cila më ka imponuar pushimin e kërkesës sime për takim dhe bashkëpunim me ministrin Pacolli”, vazhdon letrën Dedaj.

Ai e quan skandal trajtimin e tij në këtë mënyrë, pasi që thotë se ka kontribuar 27 vjet në politikën kosovare dhe se lirinë e ka paguar më shtrenjtë se secili politikan kosovar.

Dedaj ankohet se nuk lejohet të shkojë në mbledhjet e qeverisë kur mungon Pacolli, apo zëvendësja e partisë së tij, Rejhan Vuniqi, dhe se nuk njoftohet për aktivitetet që organizohen brenda MPJ-së.

Lideri liberal thotë se nuk e habit sjellja e Pacollit, pasi që e njeh për privatizim institucionesh, por habitet me heshtjen, nëpër të cilën po kalon trajtimi i tij. Dhe, në fund, e jep një paralajmërim.

“Nga sinqeriteti dhe korrektësia ime, desha t’ju njoftoj, që të mos habiteni për hapat e mi të mëtejmë, sepse as diktatura e Millosheviqit dhe asnjë mini-diktaturë tjetër nuk më ka përulur dhe as gjunjëzuar dhe nëse e shihni të arsyeshme, i merrni masat paraprake që të më mundësohet ta kryej detyrën time, me përkushtim dhe përgjegjësi për Kosovën tonë të shtrenjtë në kuadër të MPJ-së”, e përfundon letrën-ankesë Dedaj.

Ai u emërua zv/ministër në dhjetor, si pjesë e marrëveshjes me PDK-në e Kadri Veselit, dhe ka qenë i paqasshëm të hënën për reagim.

Exit mobile version