-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Dedaj: Erdogani i kërkoi Maqedonisë që të mos më akreditonte për ambasador të Kosovës

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, deklaroi se presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan i kishte kërkuar Shkupit zyrtar të mos e pranonte atë si ambasador të Kosovës.

I ftuar në emisionin Prime Time në Kanal 10, Dedaj deklaroi se këtë ia kishte pohuar vet ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov.

“Kur më ka pritur ish-presidenti Ivanov, kur ia kam dorëzuar letrat kredenciale, më tha: ‘E kam pasur të vështirë të pranoj ty ambasador’, e kam pyet pse, më tha: ‘Më ka thirr miku im Erdogan edhe ka thënë Bëj çfarë të duash këtë person mos e prano ambasador se ky person ma prish agjendën time politike në Maqedoni”, deklaroi Dedaj.

Ai tha se gjatë kohës sa ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Shkup, raportet me Ambasadën e Turqisë në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të ngrira, e që sipas tij, ka qenë skandal.

“Ambasada turke në Shkup i ka ngrirë raportet me Ambasadën e Kosovës në Shkup, derisa unë kam qenë ambasador. Kjo është skandal. I kam ftuar për festën e pavarësisë së Kosovës, kanë thënë ‘mos na dërgoni më ftesa derisa Gjergji është ambasador, ne nuk bashkëpunojmë me Ambasadën e Kosovës’”, tha Dedaj duke konfirmuar se asnjëherë nuk e ka takuar ambasadorin turk në Shkup.

Dedaj u shpreh se nuk i di arsyet e vërteta të kërkesës së Turqisë që ai të mos pranohej si ambasador në Shkup, ndërsa shtoi se asnjëherë nuk ka dashur që raportet mes Kosovës dhe Turqisë të dëmtohen prandaj edhe nuk kishte folur për këtë çështje më herët.

Megjithatë, ai pranon se ish-presidentit Ivanov ia kishte kujtuar se Maqedonia e Veriut është një shtet i pavarur dhe nuk mund të pyes askënd se kë duhet të pranojë ambasador ose jo.

“Presidentin Ivanov e kam pyetur nëse Maqedonia është shtet i pavarur apo vilajet i Turqisë sepse nuk duhet të lejoni që një president i një shteti tjetër të t’ju tregojë se kë duhet të pranoni si ambasador e kë jo. Por me turqit në Maqedoni kam bashkëpunuar, edhe me shqiptarët, edhe me maqedonasit edhe me të gjithë komunitetet e tjera”, tha Dedaj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img