Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Të dyshuarit për këto ngjarje të trishta që po përfundojnë edhe tragjikisht, në shumicën e rasteve janë djemtë dhe burrat.
Një rast i tillë po dyshohet se ka ndodhur edhe mbrëmë në një familje në Strellc të Deçanit dhe këtë herë i dyshuar është një 15-vjeçar.
Sinjali mëson se i mituri po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij, duke i sulmuar e madje edhe i ka kërcënuar.
Përballë kësaj situate, familja e denoncoi rastin në Polici, për shkak se kjo nuk është hera e parë që ata përballen me dhunë nga i biri.
Si rezultat i raportimit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Dhunë në familje’.