Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të dërgoj në Qeverinë e Kosovës një shkresë ku kërkon nga kryeministri, Albin Kurti, shkarkimin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Dje kam bërë një shkresë për zotëri Kurtin dhe sot do ta dorëzojë në Qeveri dhe pres që kryeministri t’i realizojë këto kërkesa. I jam drejtuar me kërkesën që të ndërmarrë hapa ndaj ministres Gërvalla për deklaratat e saj dhe pres që të marrë përgjigje nga ana e tij”.
Qeriqi thotë se prej se mori punën ministrja ka bërë akuza të pabaza ndaj UÇK-së të cilat sipas tij i konvenojnë shumë Serbisë.
“E kemi parë prej se e ka marrë detyrën dhe paraqitjen e saj në Këshillin e Sigurimeve ku të gjithë vendin tonë e paraqiti si vend kriminal, e detyra e kryediplomates është që ta paraqes vendin sa më mirë. Edhe më herë ministrja ka pasur akuza ndaj UÇK-së dhe për aq kohë sa nuk ka fakte akuzat mbesin të pabaza. Akuzat që nuk kanë dëshmi janë të pabaza – ne kemi pasur akuza edhe nga Serbia por të bëhen nga brenda është e pakuptimtë”.
“Sulmet ndaj UÇK-së më së shumti i konvenojnë Serbisë pasi vetë ne po i japim material të na sulmoj Serbia pasi institucionet do duhej të merreshin me krimet që janë kryer në Kosovë dhe jo me akuza. Fajtor për të gjitha sulmet janë institucionet e Kosovës që nuk kanë punuar për këtë punë dhe nuk kanë bërë ligj që njerëzit me akuza të pabaza të ndëshkohen” tha Qeriqi.
Qeriqi mes tjerash tha se institucionet shtetërore i kanë harruar veteranët e luftës teksa foli edhe për arrestimin e veteranit, Faik Fazliu.
“Institucionet e Kosovës kanë bërë pak për veteranët e luftës dhe është dashur të bëhen disa protesta për një ligj për veteranët i cili as sot nuk i plotëson as vlerat minimale të tyre. Pas luftës u harruan veteranët e luftës pasi institucionet u morën me punë tjera dhe u anashkaluan”.
“Ne e pamë se u raportua se zotëri Fazliu e ka sulmuar zyrtarin policor dhe pas pamjeve që qarkulluan u dokumentua e kundërta dhe kjo na bëri që të ndihemi keq pasi të gjithë e dimë që zotëri Fazliu e ka njërën këmbë të humbur në luftë dhe ato pamje nuk ishin të mira. Por, edhe në Policinë e Kosovës e dimë që ka individ që mund t’i bëjnë këto gjëra por shpresoj që kjo të ndryshoj” u shpres Qeriqi./klankosova/