Site icon PrishtinaPress

Debakël në zgjedhje, Ilir Meta gjen një arsyetim

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar mesditën e kësaj të hëne, me anë të një postimi në rrjetet sociale në lidhje me zgjedhjet vendore të 14 majit.

Meta është shprehur se zgjedhjet u asgjësuan që pa filluar, ndërsa shtoi se e gjithë kjo u bë me mbështetjen e hapur nga grupet kriminale dhe të narkotrafikantëve, që sipas tij, u bënë njësh me Policinë e Shtetit. Në deklaratën e tij, Meta nuk përmendi në asnjë moment dhënien e dorëheqjes për këtë rezultat.

“Narkozgjedhjet e narkoshtetit! Zgjedhjet vendore të 14 Majit në Shqipëri u asgjësuan që pa filluar.

Duke mos e regjistruar opozitën në mënyrë të paligjshme, duke hequr komisionerët dhe numëruesit e opozitës. Duke përdorur tatimorët për presion ndaj çdo biznesi, duke kërcënuar votuesit e opozitës me gojën e kryeministrit, për pasojat që do të kishin nëse votonin për opozitën.

Por zgjedhjet u asgjësuan edhe ditën e zgjedhjeve, me zhbërjen e elementit themelor të sigurisë në zgjedhje, që ishte identifikimi elektronik i zgjedhësve, duke i kthyer qendrat e votimit në vende ku u dhunua hapur ligji dhe ku u ushtrua presion i pashembullt duke u mbushur me qindra drejtorë ministrish, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë bashkie, administratorë komunash e nëpunësa gjithfarësh, përfshirë dhe policë e banditë.

E gjithë kjo me mbështetjen e hapur nga grupet kriminale dhe te narkotrafikantëve, që fatkeqësisht u bënë njësh me Policinë e Shtetit. Shqiptarët dhanë një mesazh shumë të rëndësishëm guximi duke marrë pjesë ne këto zgjedhje dhe duke u përballur me presionin mafioz të narkoshtetit.

Narkozgjedhjet i nxorën në shesh hapur të gjithë narkomanipuluesit e qeverisë, të cilët janë të evidentuar me emër dhe mbiemër. Çdo veprim i tyre është evidentuar dhe mijëra fakte rëndojnë mbi ta. Euro humbi 10% të vlerës, aq shumë është përdorur ajo për të influencuar votuesit.

Populli shqiptar është shumë më i madh se sa narkoqeveria dhe Demokracia e Ndryshimi që ai meriton, është i pashmangshëm. Asnjë narkozgjedhje nuk mund të mbajë peng lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve”, tha Ilir Meta.

Exit mobile version