Të dy këta, kanë vendosur të luajnë për vendlindjen e tyre dhe të të parëve të tyre, Kosovën, pasi kjo e fundit në vitin e kaluar u bë anëtare me të drejta të plota e UEFA-s dhe FIFA-s.
Berisha që në të kaluarën ka veshur fanellën e Kombëtares Shqiptare, për t’u larguar pas transferimit në Australi, ka vendosur të ndihmojë Kosovën në rrugën e re që ka nisur, duke iu bashkuar projektit të trajnerit Albert Bunjaki.
Për kalimin e Berishës te Kosova, De Biasi ka folur gjatë një interviste për ‘Konica.al’, ku i bën me dije sulmuesit se për të ardhur nga Australia, Kosova është më në veri se Shqipëria, më larg.
“Lëre të grumbullohet për Kosovën. Për të ardhur në Shqipëri ishte shumë e gjatë rruga nga Australia! Mësa duket për të shkuar në Kosovë rruga është më e shkurtër, megjithëse është paksa më në veri se ne! Megjithatë s’ka rëndësi. Në fund të fundit ne shkuam në Evropian pa Besart Berishën!”, u përgjigj De Biasi në pyetjen lidhur me ardhjen e 32 vjeçarit te Kosova.
“Inatin” më të madh trajneri italian e mban me talentin më të madh shqiptar, Milot Rashicën, për të cilin thotë se superioritetin e tij nuk e pa në grumbullimin me kombëtaren në Austri, ndërsa pa shikuar aspak lojën e tij te Vitesse, thotë se ai qëndron në stol edhe te Vitesse në Holandë, ku në të vërtetë djaloshi nga Vushtrria është futbollisti me minutazhën më të madhe në fushë ndër gjithë futbollistët shqiptarë që luajnë anembanë botës.
“Rashica nuk ka qenë kurrë me ne! Ishte me ne, sepse ishte një lojtar që mund të përzgjidhej nëse më mbushte mendjen mua, nëse ishte më i mirë se lojtarët që na çuan deri në Francë. Unë këtë superioritet të tijin nuk e pashë, aq është e vërtetë saqë është në stol dhe tek ekipi në kampionatin e tij”, deklaroi De Biasi për çështjen Rashica.