Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, tha se garës për të parin e kryeqytetit i ka hyrë me qëllimin që të fitojë, duke shtuar se ai megjithatë është i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjitha subjektet.
Haradinaj në Rubikon në Klan Kosova i cilësoi si mashtrues publik të gjithë ata që flasin për vija të kuqe.
“Kushdo që flet për vija të kuqe mendoj që është mashtrues publik. Në këto rrethana edhe publikisht them mos e mashtroni popullin, sepse në fund të ditës të gjithë po ulen bashkë dhe po punojnë. Natyrisht se ka preferenca, është logjike që e preferojmë dikë më shumë se tjetrin, qëllimi im është të jem kryetar komune. Me të gjithë kisha punu, nuk kam asnjë problem, personalisht përveç Uran Ismailit shumicën nuk i njoh. Përparim Ramën nuk e kam takuar fare”, tha Haradinaj.
Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës u shpreh i gatshëm që të marrë pjesë në debat televiziv me kandidatët tjerë për kryeqytetin, ndërsa i ftoi qytetarët që të mos votojnë kandidatë të cilët nuk janë të gatshëm të dalin në debate.
“Mendoj se një thirrje publike që duhet me ia bë qytetarëve të Prishtinës është që mos e votoni dikë i cili nuk përballet në debat se nuk e meriton. Personalisht si qytetar që jetoj në Prishtinë tash e 20 vite nuk e kisha votu dikë që u ikë përgjigjeve dhe ballafaqimit, sepse i bije që po fsheh diçka, ose që nuk ke aftësi”, tha Haradinaj.
Haradinaj foli për edhe kundërkandidatin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, për të cilin tha se do të ndëshkohet nga qytetarët për shkak të keq menaxhimit të situatës me pandeminë.
“Shumë pak e mbaj mend (Arben Vitinë) në 50 ditëshin e qeverisë së parë, kur kam qenë shef i Grupit Parlamentar nuk kemi pasur keqkuptime ose konflikte, në atë 50 ditësh prej një njeriu anonim u shpërfaq në hero, duket që shkëlqimi i shokut Zylo shumë shpejtë është në rënie, por rënia është shumë më e shpejtë se ngritja, sidomos situata me pandeminë, rastet e vdekjeve, situata jashtë kontrollit, situata me vaksinat, nuk ia falë qytetari”, tha Haradinaj.