Site icon PrishtinaPress

Daut Haradinaj: Demarkacioni nuk kalon, vendi të shkojë në zgjedhje

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj është shprehur i bindur se Marrëveshja për Demarkacionin e  Kufirit me Malin e Zi nuk do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Ai është ka thënë se beson fuqishëm se deputetët do t’i përmbahen betimit që kanë dhënë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, prandaj sipas Haradinajt, deputetët nuk do të ndryshojnë qëndrim pavarësisht presioneve që mund të kenë.

Këto deklarata, deputeti i AAK-së i ka dhënë në një intervistë për lajmi.net, ku ka folur edhe për mënyrën e funksionimit të koalicionit qeverisës dhe për mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Haradinaj ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për tejkalimin e situatës në të cilën ndodhet vendit, transmeton lajmi.net.

Ai gjithashtu ka thënë se pret që lideri i AAK-së dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj do të lirohet nga Gjykata franceze.

Lajmi.net: pavarësisht kritikave të shumta për gabime në Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, Qeveria ka paralajmëruar se do ta riprocedoj këtë marrëveshje për ratifikim në Kuvend. Si e komentoni këtë qëndrim të Qeverisë?

Haradinaj: Qeveria e ka proceduar edhe më 1 shtator, por u pa që vullneti i deputetëve pothuajse shumnicë ne Kuvendin e Kosovës ishte për ta refuzuar votimin. Dhe unë mendoj dhe besoj shumë se të njëjtin vullnet e kanë edhe sot dhe nuk e di se si mundet me sjellë në Kuvend derisa deputetët janë të gatshëm të votojnë kundër. Sido që të jetë edhe vota kundër i jep epilog kësaj beteje maratonike dhe shpresoj që kundërshtimi nuk do të jetë mbyllja e këtij procesi, por rihapja .

Lajmi.net: Por a ka gjasa që kjo marrëveshje të ratifikohet për shkak të presionit mbi deputetë që ta votojnë?

Haradinaj: Deputetët që kanë kredibilitet personal e kombëtar  nuk i dorëzohen presioneve të çfarëdo natyre që janë ato. Unë besoj shumë se ata deputetë e kanë dhënë provimin që janë njerëz të vendostë dhe nuk iu binden presioneve, e në këtë rast nuk heqin dorë nga betimi që e kanë dhënë për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Lajmi.net: Ju si opozitë si do ta kundërshtoni këtë marrëveshje kur të procedohet në Kuvend, a do të merreni pjesë në votim?

Haradinaj: Format e kundërshtimit do t’i shohim gjatë seancës, por unë jam i bindur që edhe populli do ta kundërshton atë ditë.

Lajmi.net: Lista Serbe thotë se do të kthehet në institucione pasi të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Pra edhe më tutje ka kushtëzime në mënyrën e funksionimit të koalicionit qeverisës. Si e komentoni funksionimin e këtij koalicioni?

Haradinaj:  Lista “Srbska” ka kohë që e ka dëshmuar që komandën e merr në Beograd dhe jo në Kosovë dhe vazhdimisht mundohet ta kushtëzoj Qeverinë e Kosovës. Për këtë arsye ndoshta edhe zgjedhjet do të ishin një zgjidhje e mirë edhe për këtë fakt, sepse do të buronte një grup tjetër parlamentar , e jo sikurse deri tash kur çdo gjë në interes të Kosovës, Lista Serbe është pengesë  si çështja e Ushtrisë. Gjithsesi dua të them se Asociacioni duhet të trajtohet me kujdes nga pala kosovare sepse ka rrezik me rrëshqit drejt një autonomie serbe në Kosovë.

Lajmi.net: A besoni se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare?

Haradinaj:  Nuk ka  rrugë tjetër për vendin përpos zgjedhjeve të parakohshme, jo pse është ndoshta vullnet individual apo grupor, por besoj që janë e vetmja zgjidhje për tejkalimin e kësaj gjendjeje.

Lajmi.net: A besoni se dështimi i ratifikimit të demarkacionit do ta qoj vendin në zgjedhje?

Haradinaj: Këtë do ta shohim. Por një fakt e di që ky koalicioni dhe kjo Qeveri nuk ka legjitimitet as në popull e as në Kuvend.

Lajmi.net: Duke e ditë që po ka kushtëzime ndërmjet partnerëve të koalicionit, a mendoni se edhe formimi i ushtrisë së Kosovës mund të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit?

Haradinaj:  Mendoj që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës nuk ndërlidhet me asnjë çështje tjetër. Kjo është një marrëveshje që është arritur në Bruksel, ndërsa transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura është poashtu një  obligim nga Pakoja e Ahtisarit. Dhe nuk e shoh asnjë arsye që të ndërlidhet me diçka tjetër.

Lajmi.net: Kemi pas deklarata kontradiktore nga drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme për çështjen e policisë. Njëra palë ka kritikuar Policinë, të tjerët e kanë vlerësuar lartë Policinë e Kosovës. Si e komentoni këtë çështje?

Haradinaj:  Pavarësisht vërejtje që mund t’i kemi në raste të izoluara, Policia e Kosovës duhet të vlerësohet lartë. Unë mendoj që mund të ketë vërejtje në politikat menagjuese. Megjithatë Policia e Kosovës është më e mira në rajon.

Exit mobile version