0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

DASh: Themelimi i Asociacionit mbetet kritik për të ardhmen sovrane të Kosovës

Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një komunikatë zyrtare lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi, pas takimit të kryeministrit Kurti me presidentin Vuçiq, në Bruksel.

Në deklaratën e DASh, thuhet se takimi i djeshëm mes të dy liderëve ishte hap i mirë para, por që ende ka punë për të bërë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë”, thuhet në deklaratë.

Vëmendje i është kushtuar edhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me ç’rast DASh deklaron se themelimi i tij mbetet kritik për sovranitetin e Kosovës në të ardhmen.

“Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Departamentit”, thuhet tutje.

Të njëjtën pikë, e ka theksuar të martën edhe vetë I Dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar tha se me marrëveshjen e arritur dje në Bruksel, beson se Kosova e ka kuptuar se duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi, siç thotë ai, është obligim që duhet të zbatohet.

“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët. Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë Asociacionin. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”, tha Escobar në një konferencë online nga Brukseli.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët.

Propozimi, i cili edhe u bë publik për herë të parë dje, përmban gjithsej 11 nene. Pos marrëveshjes bazë, propozimi përmban edhe planin e zbatimit.

Takimi i radhës i Nivelit të Lartë është paraparë të zhvillohet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ndërmjetësues do të jetë Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell. Ai pritet të zhvillojë vizitë në rajon, me ç’rast do t’ua kushtojë një pjesë të kohës liderëve të Kosovës dhe Serbisë. /Reporteri.net/.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img