Site icon PrishtinaPress

“DASH rrallë thotë i dënojmë ashpër veprimet e një qeverie”, Shtuni: Është kaluar vija e kuqe

Eksperti i sigurisë Adrian Shtuni ishte i ftuar këtë të shtunë në Euronews Albania ku foli në lidhje me përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.

Shtuni tha se deklarata e fortë e DASH, ku lëshoheshin sinjale alarmi dhe dënoheshin veprimet e nëjanshme të Kosovës, është tregues se është kaluar vija e kuqe nga kryeministri Kurti.

Eksperti theksoi se Kosovës në këto momente nuk i duhet një Oso Kukë, por një Ismail Qemali, pasi veprimet e njëanshme do të çonin në një izolim të plotë ndërkombëtar.

“Në momentin që Antoni Blinken të thotë që dënojmë ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës të cilët kanë përshkallëzuar në mënyrë të panevojshme tensionet në veri, duke minuar përpjekjet tona në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kjo do të ketë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe”.

“E dini çfarë do të thotë kjo? Kjo është përtej paralajmërimit! E dini sa rrallë përdor Departamenti i Shtetit, shprehje të tilla si “dënojmë ashpër veprimet e një qeverie”, në rastet kur Koreja e Veriut bën teste bërthamore. Kjo gjuhë mund të përdoret në takime private, por nëse bëhet një deklaratë publike e këtij toni, këtu ke kaluar një vijë të kuqe. Kjo deklaratë nuk është dërguar nga një organizatë ndërkombëtare apo nga ndonjë OJQ, por është dërguar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pra këtu duhet t’I vihet gishti kokës. Kosovës nuk i duhet Oso Kuka, Kosovës i duhet Ismail Qemali. Kjo lloj mënyre të vepruari të çon te izolimi”, tha Shtuni.

Exit mobile version