Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller ka thënë se Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë ato që ai i quajti “sulme të dhunshme të koordinuara” ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator dhe i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet.
Miller theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për de-përshkallëzimin e situatës.
“Pra, së pari dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme të koordinuara ndaj Policisë së Kosovës. I shprehim ngushëllimet më të thella familjes së rreshterit të policisë së Kosovës i cili u vra në krye të detyrës. Autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi hetimor transparent. Ne i bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit dhe t’i kthehemi dialogut të ndërmjetësuar nga BE”, tha Miller në konferencën për shtyp, raporton Pavlovic Today.