Site icon PrishtinaPress

Darka e gabuar e Pacollit me Nazarbayev – si i theu pjatat diktatori kazak i pakënaqur me restorantin në Monako

Rruga e Behgjet Pacollit drejt pasurisë nuk ka qenë një fushë me lule. Biznesmenit kosovar, që kishte migruar jashtë vendit në kohën e Jugosllavisë kur nisi punën në Rusinë postkomuniste, iu shfaqën  telashe të mëdha. Ai akuzohej se ka marrë tenderë në Moskë duke e korruptuar kreun e pushtetit atje, Boris Yeltsinin dhe familjen e tij. Pas renovimit të Kremlinit, prapa ka mbetur historia e njohur si Kremlingate, por Pacolli është nxjerrë disi nga kjo aferë. Biznesin me Mabetex tash e një kohë të gjatë e ka zhvendosur në Kazakistan falë lidhjeve me ish-Presidentin Nursultan Nazarbayev. Por, as puna në Kazakistan për Pacollin nuk ka qenë pa dhimbje.

Një histori e Pacollit me liderin kazak trajtohet në libirin e Tom Burgis “Kleptopia – Si paratë e ndyta po e pushtojnë botën”.

Prej episodit të vitit 1995, që zë vend në libër kanë kaluar rreth 30 vite dhe Pacolli ka bërë shumë biznes në Kazakistan, duke ndërtuar dhjetëra objekte me mijëra kosovarë të punësuar atje. Madje falë kontratave atje Pacolli rrugën drejt Kazakistanit e bën me aeroplan privat ndërkohë që personalisht është më pak i involvuar pasi efektivisht punën e bëjnë vëllezërit e tij.

Por, cila është ngjarja e vitit 1995,  në një restorant në Monako të cilin Behgjet Pacolli e kishte rezervuar për Nazarbayevin dhe familjen e tij, që i  kishte ftuar t’i kalojë pushimet në një nga rivierat më të bukura të botës, atë franceze.

Sipas librit, gjithçka ka ndodhur kur Pacolli ka përzgjedhur një restorant që nuk ishte sipas shijeve të Nazarbayevit për glamur.

Më poshtë, mund të lexoni të përkthyer fragmente nga libri “Kleptopia”, pa ndërhyrje.

Një nga partnerët e Sashas ishte dëshmitar i një shfaqje të psikës së Nazarbayevit. Patokh Chodiev një uzbek fisnik dhe një produkt i shkollës prestigjioze të marrëdhënieve ndërkombëtare në Moskë që ndiqej nga fëmijët e elitës komuniste, kishte shërbyer si diplomat para se të kalonte në biznes. Ai afrua aq shumë me Nazarbayev sa u ftua të kalojë pushimet me familjen e tij në bregdetin francez në vitin 1995. Nikoqiri i tyre ishte Behgjet Pacolli, biznesmen kosovar që peshkonte kontrata kazake. Një ditë ai e rregulloi një dalje në një restorant afër Monakos. Kur arritën në La Pirate grupi po shikonte me plot alarm. Ulëse druri, blozë nga zjarri i hapur, pa kristale. Kjo nuk ishte mënyra si darkonte Kani i ditëve tona, Nazarbayev. Chodiev ishte ulur në skaj të grupit, afër derës. Kamarierët e veshur si piratë që shtruan pjata, njëri prej të ftuarve ia kujtoi enët e burgut. “Ku dreqin na sollët?”, Presidenti i bërtiti Pacollit. Pacolli u zverdh. Nazarbayev e kapi pjatën dhe e përplasi për tokë. Një heshtje e tmerrshme. Nazarbayev rrëmbeu edhe një pjatë tjetër dhe e hodhi. “Kjo nuk është ajo që unë e quaj pushim, ta hajë dreqi”, tha me britmë ai. Bashkëshortja e tij, Sara, ishte afër lotëve. ‘Nursultan, Nursultan qetësohu, iu lut ajo. Nëse nuk të pëlqen këtu, mund të shkojmë diku tjetër. Ndalo, të lutem dhe qetësohu. Nazarbayev nuk do të qetësohej.

Exit mobile version