Kombëtarja e Kosovës në futboll në këtë muaj do të zhvillojë dy ndeshje miqësore.
Të dyja ndeshjet zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe pavarësisht që kanë karakterë miqësore po priten me kureshtje nga tifozët dardanët.
Kosova më 16 nëntor ndeshet fillimisht me Armeninë ndërsa me 19 nëntor ballafaqohet me Ishujt Faroe. Dardanët kanë kërkuar nga futbollistët që do të jenë të ftuar të japin maksimumin dhe ta prezantojnë në mënyrën më të mirë të mundshme Kosovën.
Postimi i plotë i Dardanëve:
Njoftim
Jemi duke u bërë gati për dy miqësoret që na presin në këtë muaj kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe. Presim që të respektohen këto ndeshje nga lojtarët, për t’na dhuruar paraqitje të kënaqshme e jo sa për sy e faqe vetëm pse ato janë miqësore. Ju bëjmë me dije se biletat e dalura në shitje për ndeshjen kundër Armenisë u takojnë sektorëve tjerë të stadiumit, e jo atij që mbushet nga ne. Si gjithmonë, biletat që na takojnë neve si tifogrup i shpërndajmë vet për anëtarët tanë. Në koordinim me përgjegjësit nëpër qendrat e qyteteve të mëdha do të bëhet edhe kjo shpërndarje biletash. Për hollësitë do t’i njoftojmë anëtarët tanë shumë shpejt.
Besa, besë! ????????/Prishtinapress/