Tre shqiptarët e arrestuar për vrasjen e policit malazez, Milutin Lekoviç do të qëndrojnë në burg për të paktën 30 ditë.
Ky është vendimi që ka marrë Gjykata e Lartë e Podgoricës për Nure, Luan dhe Lulzim Hasanaj, nënën dhe 2 djemtë e saj. Gjykata ka pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë së Lartë të Shtetit për të urdhëruar ndalimin e tyre.
Shqiptari nga Malësia e Madhe, Luan Hasanaj akuzohet se vrau policin Lekoviç dhe u përpoq të vriste edhe kolegun e tij Aleksandër Kilibard, pasi ata kapën shqiptarët në tentativë për të kaluar drejt Kroacisë pa dokumente.
Gjatë shoqërimit të tyre në komisariatin e policisë, Hasanaj qëlloi me pistoletë policin 41-vjeçar.
Krimi ndodhi pas arrestimit të Luan Hasanajt, 43 vjeç, i cili shoqërohej nga nëna e tij Nurie, 67 vjeçe dhe vëllai i madh Lulzimi 49-vjeç. Lekoviç, oficer i policisë kufitare, kreu një kontroll rutinë dhe pasi pa se 3 shtetasit shqiptarë ishin pa dokumente i dërguan me një makinë zyrtare, por gjatë rrugëtimit, Hasanaj mori pistoletën nga çanta e nënës së tij dhe e qëlloi policin në pjesën e qafës.
Kilibard reagoi shpejt, duke u hedhur mbi autorin e krimit, por ky i fundit e drejtoi armën drejt tij, por ajo nuk shkrepi. Disa orë më vonë, ata u arrestuan në Sutorinsko ndërsa po përpiqeshin të largoheshin për në Kroaci.
Kur u rrethuan nga policia, Luani nxori përsëri armën duke qëlluar. Policia iu kundërpërgjigj duke e qëlluar vrasësin në krah. Më pas, të gjithë anëtarët e familjes u arrestuan. Luan Hasanaj rezultonte në kërkim edhe në Shqipëri, i akuzuar për tentativë vrasjeje. Policia ka njoftuar zyrtarisht se edhe Shqipëria po kërkon Luan dhe Lulzim Hasanaj.